Mërgimtarit nga Radusha i vidhet shtëpia dhe i revoltuar pyet: Ku është policia, ku jan institucionet, mediat..

Mërgimtari me inicialet I.A. nga Radushë ka reaguar publikisht pas vjedhjes së shtëpisë së tij, duke denoncuar mungesën e ndërhyrjes së policisë dhe mbulimin e ngjarjeve nga mediat. Ai thekson se gjatë një vikendi u vodhën 56 shtëpi në fshatrat e Saraj, përcjell tetova1

Banori i revoltuar shprehet se lajmin e mori teksa ndodhej jashtë vendit dhe se ndërhyrja e policisë erdhi vetëm pas kthimit të tij, ndërsa vjedhësit kishin thyer kamerat e sigurisë dhe kishin dëmtuar derën e hyrjes. Ai i drejtohet drejtpërdrejt mediave dhe institucioneve, duke pyetur: “Ku është policia? Ku janë institucionet? Ku janë mediat?” dhe kritikon mungesën e raportimeve për arrestime apo masa konkrete.

Në reagimin e tij publik, I.A. tregon pasigurinë që ndjenin familjarët, veçanërisht vajza e tij e vogël, dhe shqetësimin për vazhdimin e vandalizimeve në komunitet. Ai nënvizon se sistemi i sigurisë “Save City” nuk po funksionon siç duhet dhe apelon që mediat të ndihmojnë në pasqyrimin e ngjarjeve për të rritur ndërgjegjësimin dhe përgjegjësinë e institucioneve.

Reagimi i plotë:

“Një vikend si ky!

Në fshatrat e Komunës së Sarajit u vodhën 56 shtëpi brenda pak kohësh!

Të martën, më 10 shkurt, dita ishte e mbushur me aktivitete. Pasdite kisha dy mbledhje shumë të rëndësishme, e para për një projekt që do ta nisim së shpejti, ndërsa e dyta për hotelin që po e avancojmë hap pas hapi, e kam fjalën për bë Zvicër. Rreth orës 16:30 përfundova gjithçka. Në raste të tilla, telefonin privat e lë mënjanë. Kur e mora në dorë, pashë katër thirrje nga familjarët. Mendja të shkon menjëherë tek më e keqja, mos ka ndodhur ndonjë fatkeqësi, ka vdekur dikush?

Telefonova dhe mora lajmin që s’e kisha menduar, “Irfan, hajdutët kanë hyrë në shtëpi!”

Është një ndjenjë e rëndë pasigurie, por u përpoqa ta ruaj qetësinë. “Zoti e bëftë hajr”, u përgjigja.

Të premten mora aeroplanin dhe mbërrita vonë në mbrëmje. Të nesërmen erdhën ekipet e policisë, të cilët kishin qenë edhe më herët. Bënë procedurat përkatëse dhe u larguan. Mysafirët e paftuar kishin thyer një nga kamerat e sigurisë, kishin dëmtuar derën e hyrjes dhe kishin hallakatur shtëpinë në kërkim të arit dhe parave. Por kush mban ar apo para në një shtëpi bosh? Sidoqoftë, për çudi, nuk kishin shkaktuar dëme të tjera të mëdha dhe kjo më qetësoi disi.

Ajo që të dhemb më shumë janë statistikat. Në një komunë me rreth 20 vendbanime, brenda pak muajsh janë vjedhur mbi 56 shtëpi, dhe ky trend vazhdon. Pyetem këtu se ku është policia? Ku janë institucionet? Ku janë mediat? Asnjë kronikë, asnjë lajm për arrestime apo masa konkrete.

Ndërsa pushteti duket sikur fle, shtëpitë e banorëve vazhdojnë të vandalizohen. Vajza ime e vogël, pasi e kuptoi çfarë kishte ndodhur, më pyeti:
“Babi, a i kanë kapur?”
“Ende jo,” i thashë.
“Po nëse nuk i kapin, unë kam frikë të vij verës në pushime…”

T’i rrisësh fëmijët me dashurinë për vendlindjen është sfidë edhe kur gjithçka është në rregull. Kur kësaj sfide i shtohet pasiguria, barra bëhet edhe më e rëndë.

Tregojini kryeministrit Mickovsi se gjërat nuk duken bukur nga këtu. Një qytet i quajtur i sigurt “Save City”, me shtëpi dhe pasuri të pasigurta, nuk tingëllon dhe aq “Save”!

Zoti e bëftë hajr. Nëse takoni ndomjë hoxhë plak, kërkoni tjua tregoj historinë e një hajduti nga Bagdati. Vërtet është një histori e bukur.

Kush don le ta bëj “share”, e ndoshta shkon në veshin e të parit disi!”, përfundon Mërgimtari./tetova1.mk