Mërgimtari nga Suedia, Musli Fida: Një jetë për Strugën, UÇK-në dhe kombin (Video)

Musli Fida nga Struga ka 38 vite që jeton në qytetin e Malmos në Suedi.
Ai ishte larguar nga vendlindja e tij në vitin 1982, në moshën 29 vjecare.
Në një intervistë për Lajm Tv, sot 68 vjecari thotë se ishte i detyruar të largohet nga Struga, për shkak se kishte qenë i përndjekur politik nga regjimi i atëhershëm jugosllav, pas demonstrave të njohura studentore në vitin 1981 në Prishtinë.
“Në Suedi kam ardhur në shtator të vitit 1983
Do të thotë nga ajo datë e deri më tani jam në Suedi. Jam ndër të diferencuarit e parë politik në Maqedoni dhe akuza ka qenë e njëjta për të gjithë. Kam punuar në shtëpinë e mallrave në Shkup dhe nga aty jam diferencuar politikisht, si irredentist dhe nacionalist. Dhe u detyrova të largohem nga aty dy ditë para gjykimit. U emigrova në Itali, atje ndeja 20 muaj, mandej një kushëri i imi më mori nga Italia në Malmo të Suedisë”, deklaroi ai.

Ai kujton fillimin e jetës së tij në Malmo të Suedisë, e cila ka qenë shumë e vështirë.
“Fillimi si për cdo emigrantë tepër i vështirë derisa adaptohesh, por fatmirsësishtë unë adaptohem shpejtë. Në fillim kam punuar në një fabrikë për ngjyrave, mandej vazhdova në branshin e restoranteve.Këtu erdha me shoqen dhe dy fëmijët”, kujton Fida.
Pas 10 vitesh të kaluara në mërgim, Musli Fida ishte kthyer në Strugën e tij të dashur.

“Si u shkatërrua sistemi fillova të vij vazhdimisht. Më kishtë marrë malli shumë. Po tani unë shkoja më shpesh në Strugë deri në fillimin e UCK-së së Kosovë e mandej edhe të Maqedonisë”, thotë 68-vjecari Fida.

Musli Fida në Suedi është njohur si një patriot i madh, i cili gjithmonë kishte punuar për cështjen kombëtare. Ai tregon se në vitin 1984 në Malmo kishin themeluar shoqatën Kosova, ndërsa një vit më vonë në kuadër të kësaj shoqate e themeluan edhe Klubin e fubollit Kosova.
Po në këtë vit, ata kishin hapur Radio Kosovën në Malmo, ku bashkëshortja e tij Shpëtimja kishte punuar si spikere, ndërsa gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni ajo ishte zgjedhur si zëdhënëse e UCK-së për Suedi.

“Gjithmonë jam marrë me lëvizjet kombëtare, nga lëvzija popullore e deri te UÇK-ja”, tregon ai.

Sipas, Musli Fidës sot në Malmo jetojnë rreth 30 mijë shqiptarë. Ai thotë se shqiptarët janë integruar mirë në shoqërinë suedeze dhe është krenar me sukseset që po i arrijnë ata.
“Shumë pak kemi qenë, por pas viteve të 90-ta filluan të vijnë shumë shqiptarë nga Kosova. Tani shumica janë integruar, punojnë në fusha të ndryshme.Këtu ka edhe me sport që merren sic është Agim Sopi dhe vëllau i tij Bashkimi, i cili ka luajtur në elitën e futbollit suedez”, flet me mburrje Fida.

Musli Fida sot merr një pension të mirë dhe është njeri i lumtur. Ai tregon se në këto 25 vitet e fundit bashkë me bashkëshorten e tij gjysmën e jetës e kalojnë në Strugë. Përvec dy djemve, ai ka edhe pesë mbesa dhe një nip, e të cilët e flasin gjuhën shqipe sikur të ishin rritur, sic thotë, në Strugën e tij të dashur.

Gazetar Reshat Ibrahimi
kameraman: Amir Idrizi
Lajm Tv, mars 2020