Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, deklaroi se në të kaluarën Nikola Gruevski dhe VMRO-DPMNE kishin tentuar të diskreditonin partinë e tij, por sipas tij u përballën me kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë nga përfaqësuesit e PDSH-së në qeveri, raporton Zyrtare.
Duke folur në një takim me strukturat partiake në Haraçina, Thaçi kujtoi një episod nga periudha kur, sipas tij, ish-kryeministri Gruevski kishte sulmuar PDSH-në përmes një shkrimi në TV Sitel, duke e paraqitur partinë si të parëndësishme.
“Njëherë ka provuar VMRO e Nikola Gruevskit me ne, direkt Gruevski se nuk ia mbante me ne. Më kujtohet atëherë e bëri një artikull te TV Sitel dhe na nxori kinse ne s’jemi askush. Të nesërmen paradite i ka dalë zëvendëskryeministri ynë Imer Aliu dhe i ka bërë me emër e mbiemër me VMRO, me Gruevskin, me krejt”, tha Thaçi.
Ai theksoi se PDSH ka qenë gjithmonë e gatshme të përballet politikisht me kundërshtarët dhe se, sipas tij, përpjekjet për ta minimizuar rolin e saj nuk kanë pasur sukses.



