Mendimi i Naim bey Frashërit për mbulesën e grave. Ja se çka shkruan Naim Frashëri për mbulesën

Shkruan: Prof.dr.Zeqir Kadriu

“Të mbuluarit dhe të fshehurit e fytyrës së gruas s’ka qenë në kohën e profetit Muhamed, por është shpikur më vonë nga konzervativët dhe amoralët. Ndalim i madh në përparimin e një kombi”, thoshte Naim Frashëri i madh. Ja se çka kishte shkruar Naimi :

“ Të mbuluarit dhe të mshehurit e fytyrës së gruas s’ka qenë në kohën e profetit, por është shpikur më vonë. Ndalim i madh në përparimin e një kombi! Si mund të vë mbroth një komb kur gratë domethënë gjysma e njerzisë rronë e mbyllur si në kuvli? Si mund të jetë i zgjuar një komb pa pasur në vijë jetën e shtëpisë e të fëmisë dhe këto qysh bëhen kur burri rrin veç gruas?

Ç’dashuri, ç’arsye mund të mësojnë e të marrin djemtë në një familje të tillë…Gruaja duhet të jetë më shumë se burri e arsimuar se fëmija së pari e marrin mësimin nga nëna… Gruaja është mëmë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe e krejt njerzisë.” Një nga të mbeturat më të shëmtuara të botës së vjetër është pa dyshim ferexheja që mbulon gruan myslimane. Dhe siç thotë Tajar Zavalani (Bota e re, nr. 14, 1936): “S’na shkon nga mendja se ka burra që i thonë vetes të dijshëm dhe duan të ecin hap më hap me kohën dhe guxojnë të dalin publikisht e të përligjin me argumente serioze fshehjen e gruas brenda një perdeje të zezë.” Pastaj Tajar Zavalani, vazhdon:

” Të merremi vesh mirë, ç’kuptojnë me fjalën qytetërim, dhe a mund të jetë i qytetëruar një skllav? I pari fitim i qytetërimit është triumfi i lirisë personale. Gruaja myslimane është skllave e burrit derisa ky e detyron të dalë e mbuluar.” Dija, në romanin e Haki Stërmillit në ditarin e saj thotë: ”Sikur t’isha djalë do t`i tregojsha botës mashkullore se dora që e përkund djepin është ajo që e rrotullon boshtin e fatit të njerëzisë, sepse ajo, vetëm ajo e drejton jetën kah horizontet e ndritura. Femra myslimane e mbyllur brenda katër mureve asht e mpitë, e dobët dhe e pazhdrivillueme, sepse asht shtypë e mbytë nga zgjedha e randë e nji edukate që nuk këshillon e nuk porosit tjetër veçse ndalimin: mos prek, mos fol, mos dil, mos qesh, mos e mos e mos…

” Kjo është një fyerje për gocën, vajzën, gruan, femrën tonë e cila ka dëshirë të zjarrtë të jetë e lirë dhe e qytetëruar si çdo krijesë njerëzore që jeton në këtë milenium. A thua me të vërtetë shamia, çarçafi, ferexheja e ruajnë namuzin e femrës? Nga përvoja në shtetet arabe e aziatike mbulimi sjell vetëm shëmtim që bie në sy, shëmtim nga zgjedha e shpikur nga shpirtrat sadistë. Duhet të jemi shumë syhapur dhe të urtë ndaj ndikimeve dhe rrymave radikale fetare të cilat këmbëngulin në tjetërsimin e identitetit tonë shqiptar. Përndryshe, nuk do të jemi më ata që jemi sot.