Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka ngritur sot alarmin për, siç tha, “presione të rënda dhe kërcënime sistematike ndaj punonjësve të administratës komunale dhe bizneseve lokale”, që sipas tij, po kryhen nga përfaqësues të Aleancës për Komunën e Ilirisë (AKI).
Në një konferencë për media, Qyra deklaroi se gjatë javës së fundit ka pranuar dhjetëra ankesa nga qytetarë, nëpunës komunalë dhe drejtues të ndërmarrjeve publike, të cilët raportojnë se janë kërcënuar në mënyra të ndryshme për t’u detyruar të votojnë AKI-në.
“Me dhjetëra qytetarë dhe punonjës të administratës kanë ardhur tek unë dhe përfaqësuesit e shtabit tim për të treguar se janë kërcënuar në forma të ndryshme nga përfaqësuesit e AKI-së dhe ata që bëjnë fushatën e tyre. Po përdoren metoda të vjetra, që partitë brenda AKI-së i kanë zbatuar për 20 vite me radhë”, – tha Qyra.
Sipas tij, presioni po ushtrohet në disa nivele:
• Punonjësit paralajmërohen se do të përjashtohen nga puna nëse nuk votojnë AKI-në;
• Zyrtarëve komunalë u kërkohet të shantazhojnë bizneset e vogla me gjoba e mbyllje;
• Mësimdhënës dhe drejtues shkollash raportojnë kërcënime për ulje pozite ose largim nga puna.
“Kjo është fushatë frike, jo demokracie. Po përdoren inspektorët komunal për t’i detyruar bizneset të punojnë për AKI-në. Ky është abuzim i pushtetit dhe shkelje e dinjitetit të qytetarëve,” – theksoi Qyra.
Ai u bëri thirrje përfaqësuesve të AKI-së që të ndalojnë menjëherë me kërcënimet dhe presionet ndaj administratës dhe institucioneve komunale, duke paralajmëruar publikimin e emrave nëse situata vazhdon.
“Nëse vazhdojnë me kërcënimet, do t’i publikojmë të gjitha emrat e atyre që i frikësojnë qytetarët dhe do t’i denoncojmë në organet e rendit,” – deklaroi kandidati i pavarur.
Në fund, Mendi Qyra u dërgoi një mesazh inkurajues punonjësve të komunës dhe qytetarëve të Strugës:
“Mos u frikësoni, askush s’ka të drejtë t’ju kërcënojë. Më 19 tetor, Struga do të çlirohet dhe do të marrë frymë lirshëm.”