Policia dhe ushtria në Meksikë po kërkojnë një numër më të madh të të arratisurish nga burgu në Puerto Vallarta, të cilët ikën gjatë një vale sulmesh që karteli CJNG nisi të dielën pas vrasjes së kreut të tij, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”.
Gjatë trazirave, persona të armatosur përdorën një automjet për të thyer një nga portat e burgut, duke mundësuar kështu arratisjen e 23 të burgosurve. Autoritetet thanë se po bashkëpunojnë me shtetet e tjera federale për t’i kapur ata që u arratisën.
Raportohet se në operacionet dhe dhunën që pasoi vrasjen e “El Menchos” janë vrarë më shumë se 70 persona, përfshirë 25 anëtarë të Gardës Kombëtare të Meksikës, shkruan bbc.
Anëtarët e kartelit dogjën disa automjete përreth Puerto Vallartas, dhe turistëve dhe banorëve u është këshilluar të kërkojnë strehim dhe të mos dalin jashtë.
Disa kompani ajrore kanë ndaluar përkohësisht fluturimet dhe të paktën dy aviokompani thanë se do të anulojnë ndalesat e planifikuara në Puerto Vallarta për shkak të situatës.
Qeveria meksikane tha se shumica e bllokadave rrugore të vendosura nga karteli janë hequr, por disa raportohet se ende ka incidente në shtetin ku lindi “El Mencho”, duke përfshirë djegie automjetesh dhe shkatërrime të objekteve publike dhe dyqaneve.



