Mehaj: Kosova e gatshme për ndihmë, nëse i kërkohet nga SHBA-ja

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është e gatshme të ofrojë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet – pas pushtimit rus në Ukrainë – nëse diçka e tillë kërkohet nga Shtetet e Bashkuara.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kosova qëndron në linjë me qëndrimet e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

Ai ka bërë thirrje që të mos ketë ndonjë organizim eventual të strukturave joshtetërore për të ofruar solidaritet dhe mbështetje për popullin ukrainas, duke thënë se këto veprime njihen brenda qarqeve ruse.

Mehaj ka thënë se mes tjerash se duke parë zhvillimet në botë, “është koha që SHBA të miratojë kërkesën tonë të kahershme për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake Amerikane në Kosovë”.