Mehaj dekoron me medaljen “Shërbim i shquar” gjeneralin John Maier

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i shoqëruar nga gjeneral Hazrolli dhe gjeneral Dreshaj, pritën në takimin lamtumirës shefin e Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it, gjeneral brigade John Maier.

Me këtë rast, ministri Mehaj i shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për bashkëpunimin e ngushtë, si dhe shërbimin në drejtimin dhe udhëheqjen e Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it, gjatë misionit njëvjeçar në vendin tonë.

Me këtë rast, me motivacion “për bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe kontributin e madh në avancimin e aftësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, e dekoroi me medaljen “Shërbim i shquar”.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneral Maier nderoi ministrin Mehaj me flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili është ngritur në ceremoninë e sotme në Kampin e Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it në Film City në Prishtinë.

Flamuri shoqërohej me përshkrimin: “Ndriçuar në errësirë nga drita e drejtësisë, ky flamur dëshmon për sakrificën dhe guximin e atyre burrave dhe grave që luftojnë forcat armike që kërcënojnë lirinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe botës.”