Mediumi zviceran: Si “Vëllezërit e Gjenevës” transferuan para në Kosovë për të korruptuar prokurorë

Një hetim i zhvilluar për më shumë se shtatë vjet në Zvicër ka zbuluar një skandal të ri që trondit drejtësinë kosovare dhe shtron pyetje serioze për sigurinë kombëtare të vendit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Federale e Zvicrës, një grup islamist i quajtur “Vëllezërit e Gjenevës”, i lidhur me organizatën terroriste Shteti Islamik (ISIS), kishte dërguar dhjetëra mijëra euro në Kosovë për të financuar strukturat e tyre binjake dhe, siç raporton medium zviceran, për të korruptuar prokurorë kosovarë.

Hetimi, që është ndër më të mëdhenjtë në Zvicrën perëndimore kundër terrorizmit, po ndodh në prag të gjykimit të dy të dyshuarve kryesorë: Agim Ajeti nga Vitia dhe Liridon Asani nga Shkupi, të cilët do të dalin para Gjykatës Penale Federale në Bellinzona më 3 dhe 4 nëntor 2025, raporton mediumi zviceran 24 Heures.

Rrjeti që u krijua mes Gjenevës dhe Vitisë

Sipas gazetës prestigjioze Le Temps, që ka siguruar aktakuzën, “Vëllezërit e Gjenevës” ishin dega zvicerane e një grupi të quajtur “Vëllezërit e Vitisë”.

Ata vepronin që nga viti 2015 nën ideologjinë salafi-xhihadiste, me qëllimin për të krijuar një “shtet islamik” në një pjesë të Kosovës. Në territorin kosovar, anëtarët e grupit kishin fshehur katër automatikë AK-47, një pistoletë dhe mbi 3,000 fishekë, të groposura në një fuçi plastike në një zonë malore.

Në qendër të këtij rrjeti qëndronte kosovari 37-vjeçar nga lagjja Le Lignon e Gjenevës, që kishte marrë rolin e “emirit” dhe kishte ngritur një strukturë të organizuar me rregulla të brendshme, mbledhje të fshehta dhe disiplinë ushtarake.

Rreth tij u mblodhën rreth tridhjetë ndjekës, përfshirë edhe një zviceran të konvertuar, Daniel D., i cili më pas iu bashkua Shtetit Islamik në Siri.

Financimi i korrupsionit, lidhjet me Kosovën

Një nga funksionet kyçe të “Vëllezërve të Gjenevës” ishte transferimi i fondeve drejt Kosovës, thotë medium zviceran.

Sipas të dhënave të hetuesve zviceranë, nga viti 2016 deri në vitin 2022, grupi kishte dërguar midis 64,000 dhe 78,000 euro në rajonin e Ballkanit.

Nga këto, 10,000 euro ishin përdorur për të korruptuar prokurorë në Kosovë, sipas kësaj medie, në mënyrë që disa prej të pandehurve për pjesëmarrje në luftërat e Sirisë dhe Irakut të përfitonin dënime më të lehta.

Në dokumentet e hetimit përmendet se pjesë e fondeve janë përdorur për të blerë edhe armë, ndërsa pjesa tjetër është mbledhur përmes kontributeve të rregullta të anëtarëve (nga 50 franga në muaj) dhe mashtrimeve me sigurime shoqërore.

Vetë “emiri” i grupit kishte përfituar 54,363 franga zvicerane nga ndihmat për fëmijët që nuk jetonin më në Zvicër, ndërsa bashkëpunëtori i tij kishte përfituar 107,000 franga nga ndihmat sociale, duke fshehur të ardhurat reale.

Deri në momentin e publikimit të këtij raporti, as Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), as Prokuroria Speciale, as Ministria e Drejtësisë, nuk kanë dhënë asnjë reagim zyrtar për pretendimet që tashmë janë bërë publike në media ndërkombëtare.

Një burim nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, që foli për Insajderin nën kushte anonimiteti, tha se “nëse këto akuza janë të sakta, atëherë kemi të bëjmë me një prej rasteve më të rënda të komprometimit të sistemit gjyqësor në historinë e pasluftës”. /Insajderi.org/