Mediat zvicerane dhe austriake fajësojnë Vuçiqin për emigrantët

Mediat zvicerane dhe austriake kanë akuzuar Serbinë se po dëshiron ta destabilizojë Bashkimin Evropian, duke lejuar emigrantët të hynë pa viza.

Kujtojmë se emigrantët dhe ndalimi i valës së tyre që lëvizin drejt BE-së ishin temë e takimit të fundit mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq, kryeministrit hungarez Viktor Orban dhe kancelarit austriak Karl Nehammer.

Në këtë takim u ra dakord që linja e mbrojtjes së kufirit të jashtëm të BE-së, kur bëhet fjalë për fluksin e emigrantëve, të zhvendoset “më në jug”.

Pas këtij takimi, Orban, duke folur për mediat, tha se është në zhvillim e sipër “rrethimi” i kufirit hungarez, ku vetëm këtë vit dyshohet se janë regjistruar 180 mijë tentativa për kalime të paligjshme.

Mediat gjermane shkruajnë se në atë takim është dashur të zgjidhen “akuzat” ndaj Serbisë, se me politikën e saj pa viza ndaj vendeve si India dhe Tunizia, gjoja lejon fluksin e emigrantëve, të cilët më pas tentojnë të hyjnë ilegalisht në BE, raporton “Jutarnji list”, transmeton Klankosova.tv.

E përditshmja austriake “Wiener Zeitung” tregon se 15 mijë kërkesa për azil në Austri kanë ardhur nga India dhe Tunizia këtë vit.

“Që nga viti 2017 mund të hysh pa viza në Serbi nga India dhe Tunizia, por kjo duhet të ndryshojë deri në fund të vitit”, shkruan kjp gazetë, duke iu referuar premtimit të Vuçiqit se Beogradi do të harmonizojë politikën e vizave me BE-në sa më shumë që të jetë e mundur.

Siç thuhet më tej, mediat austriake dhe ato zvicrane kanë hedhur në mënyrë të veçantë tezën se Serbia mund të ketë synuar, qoftë edhe me bindjen e Moskës, nxitjen e valës së emigrantëve drejt BE-së, transmeton Klankosova.tv.