Media: Irani sulmon bazat amerikane në Bahrein

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, gjatë orëve të vona të mbrëmjes janë dëgjuar shpërthime në Bahrein, në Abu Dhabi dhe në Katar, pavarësisht deklaratave të mëhershme të presidentit iranian Masoud Pezeshkian për një armëpushim ndaj vendeve të Gjirit.

CNN raporton se dëshmitarë në Bahrein kanë sinjalizuar një seri detonacionesh të forta, ndërsa nuk është e qartë nëse ato janë shkaktuar nga goditje të drejtpërdrejta apo nga raketa të interceptuara. Agjencia iraniane Fars ka folur për “shpërthime të forta në bazat amerikane në Bahrein”.

Ndërkohë, sipas AFP, disa shpërthime janë dëgjuar edhe në Doha. Këshilli për Sigurinë Kombëtare i Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar në rrjetin social X se sistemet e mbrojtjes ajrore po reagojnë ndaj një kërcënimi me raketa, duke u bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në vende të sigurta.

Më herët, presidenti iranian Pezeshkian kishte kërkuar ndjesë ndaj vendeve të Gjirit për efektet e sulmeve iraniane me dronë dhe raketa ndaj bazave amerikane, duke theksuar se Irani do të pezullonte operacionet ndaj vendeve fqinje përveç nëse sulmohej.

Ndërkohë, sipas Al Jazeera, Garda Revolucionare iraniane ka deklaruar se ka ndërmarrë një sulm me raketa ndaj bazës amerikane të Juffair në Bahrein.