Me veturë shkulën bankomatin, e lidhën me litar dhe e tërhoqën zvarrë nëpër rrugë – policia britanike kap hajnat

Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin, kur disa persona arrijnë të vjedhin bankomatin nga një qendër tregtare dhe të largohen.

Megjithatë policisë britanike iu nevojit pak kohë që t’i lokalizojë dhe arrestojë.

Gjithçka ndodhi në Buckinhamshire të Britanisë, ku një grup hajdutësh e goditën me veturë bankomatin dhe më pas e lidhën me litar dhe e tërhoqën zvarrë.

Me të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë, policia aktivizoi njësitet me helikopter që i gjurmuan dhe arritën t’i kapin derisa po largoheshin me veturë – duke e tërhequr zvarrë bankomatin.

Njëri prej tyre kur e kupton se nuk ka nga t’ia mbajë del nga vetura dhe fillon të vrapojë në një zonë malore, por aty i shfaqen para syve policët me qentë që i përdorin për nuhatjen e lëndëve narkotike.

Sipas policisë britanike, vjedhja e parave dhe dëmtimi i bankomatit kap vlerën e 100 mijë funte, kurse aparati për tërheqjen e parave u shkul nga një qendër tregtare në Bedfordshire.

Tony Smith, 23-vjeç, John Mitchell, 20, Alan Smith, 47 dhe Samuel Mitchell, 19-vjeç janë shpallur fajtor për tentim vjedhje.