“Më telefonoi Albright”, Hill tregon si nisi përfshirja e tij në luftën e Kosovës

Diplomati amerikan Christopher Hill, po e jep dëshminë e tij në Hagë si i ftuar i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

Hill foli edhe rreth angazhimeve të tij në çështjen e Kosovës.

“Së pari jam përfshirë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në maj të vitit 1998-të. Mora një telefonatë nga sekretarja e Shtetit e asaj kohe që ishte zonja Madeleine Albright, që më kërkoi që përveç detyrave të mia si ambasador në Maqedoni, të marrë përsipër edhe postin e të dërguarit të posaçëm në Kosovë. Unë në këtë kohë i raportoja sekretares së shtetit”, tha Hill.

Ai tregoi edhe për rolin e tij në këtë temë.

“Unë e kuptova rolin që ne duhet të ofronim mbështetje ose zgjidhje politike dhe duhet të ndihmonim që të zmbrapeshin forcat atje nga dhuna në rritje e mundur. Unë jam përpjekur bashkë edhe me kolegët nga Departamenti i Shtetit, që të hartonim një plan autonomie, në mënyrë që Kosovës t’i kthehej autonomia dhe që Kosova të kishte qeverisjen e vet. Domethënë kjo ishte ideja kryesore, pjesa kryesore që do të ndiqnim me Kosovën dhe Serbinë”, deklaroi ai.

Diplomati amerikan theksoi se qëllimi ishte arritja e një marrëveshje politike, sepse nga kolegët evropianë kishte shqetësim se mund të shpërthente dhuna në rritje.