Me sa “sheholl” bashkëpunëtorë të UDB-së vepronte SHIK-u? / Vrasjet politike, strategji e kujt ishin?

Rrëfimi personal i Fatmir Shehollit, ka rikthyer në vëmendje të opinionit një të kaluar mjaft të errët për një pjesë të organizimit dhe veprimtarisë së shqiptarëve.

Ndonëse ai ka folur nga restrospektiva e ngjarjeve, duke u treguar si një ‘i konvertuar’ në shqiptari apo në rrugën e shtetbërjes së Kosovës, dëshmia e tij, i ka hapur rrugë debateve të shumta, për identitetin, vlerën, dhe pastërtinë e udhëheqësve të SHIK-ut.

Ata më fanatikët e patriotizmit mund të pyesin, se kush janë ata, që po cilësohen si figurat kryesore të çlirimit të Kosovës.

Blofi i Fatmir Shehollit?

Kush në të vërtetë është Kadri Veseli, si kreu i SHIK-ut, i cili sot ndodhet në Hagë, në një proces gjyqësor, dhe kush janë në të vërtetë ata që e udhëhoqën këtë organizatë?!

Pavarësisht që dëshmia duket si rrëfim i një të ‘konvertuari’, pashkëputshmëria e lidhjeve të tij me Serbinë, derisa tash i tregon, si ankues, se ia ka mbyllur rrugët, sipas tij për shkak të një deklarate televizive në një intervistë me Adnan Merovcin, jep një indikacion tjetër.

“Këta mua me ma ndalu hyrjen në Serbi? Po kjo është diktatura më e fëlliqur në botë. Kam shkuar deri në kufi dhe e kam parë aty që më kanë bllokuar hyrjen, por jam kthyer kur e kam marrë vesh dhe s’kanë mund të më arrestojnë”, ka thënë Sheholli të hënën në mbrëmje.

Ai me këtë deklaratë shpreh emocione, dashurinë për atdheun e tij, të parë apo të dytë, se dimë se si e ka ndie ai, por aty duket se tregon mungesën që po ia shkakton me atë ndalesë Serbia.

Po ashtu mund të jetë edhe një shfaqje aktrimi e planifikuar. Dalja në intervistë, zbulimi i identitetit të tij si pjesë e SHIK-ut, dhe se me kë ka bashkëpunuar drejtpërdrejt, pasimi me “ndëshkim” nga Serbia, mund të lë dyshime, për një ‘katarzë’, për hapje të kanaleve më tej nga ai, për t’u ngjitur në sistem apo në struktura të larta të shtetit. Mbase edhe për të rritur besueshmërin, si ‘analist’ në media, punë të cilën e ka bërë në disa media të Kosovës, përfshirë televizione.

Sheholli a tregoi se sa i përlyer dhe i ndyrë është sistemi politik në Kosovë?

Por, ajo që nuk do t’ju shqitet nga mendja, atyre njerëzve të edukuar dhe inteligjent është se a ishin të përlyer, njerëzit që ata i adhuronin dhe që e drejtonin SHIK-un, si Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Elmi Reçica, Azem Syla etj.?

A ka kush e shpjegon, dhe a ka kush kërkon sot më shumë llogari nga drejtësia, se pse nuk u zbardhën vrasjet politike?

Vrasja e Ali Ukës, Ilir Konushecit, Behadin Allaçit, ministrit Ahmet Krasniqi, Enver Malokut, Xhemail Mustafës, e qindra atdhetarëve të devotshëm besnik të Rugovës, dhe plagosjet, rrahjet torturat, madje edhe të atyre që i ekzekutonin, kërkojnë të dinë, se a u bën nga njerëz të ‘përlyer’!

Hetimi i tij për vrasjen e babait

Sheholli ishte ftuar para më shumë se dy vitesh nga gjykata speciale për të dëshmuar para saj. Por, duke qenë një njeri i shërbimit të Serbisë, për të cilin vet deklaron se ka punuar deri në vitin 1993, në kohën kur kishte vite që ishte suprimuar autonomia e Kosovës, ka thënë se ishte pyetur për rastin e babait të tij, Maliq Shehollit.

Ai ishte vrarë në vitin 1997, sipas podujevasve, haptazi, nga Zahir Pajaziti, i shpallur hero i Kosovës.

ImageFatmir SheholliFOTO GALERI
Sipas tij, në një intervistë të dhënë në vitin 2020 ai ishte “i habitur” se pse ishte ftuar, pasi mandati i gjykatës speciale fillon më 1998.

“Nga Gjykata Speciale më thanë se meqë emri i babait tim është përmendur nga një komunikatë e UÇK-së, atëherë ata do të merren edhe më këto raste”, kishte deklaruar ai.

“Pas vrasjes së babit tim është lëshuar një komunikatë nga UÇK-ja ku thuhet se babi im ka qenë me deputetët e Partisë Socialiste të Serbisë, ka marrë pjesë në varrimin e një serbi, ka qenë punëtor i UDB-së. Asnjëra nga këto nuk kanë qenë të vërteta. Për mua ishte e papranueshme kjo komunikatë pasi asnjëra nga to nuk kanë qenë të vërteta”, deklaronte ai.

Por, nuk i ka shpjeguar motivet e vrasjes pasi bazuar në punën e tij, ka njohuri shumë të mira, aq më tepër që ka qenë bashkëpunëtorë edhe i SHIK-ut.

“Babai im dhe disa persona tjerë përmenden në Komunikatën nr.28. Me 13 shtator të po atij viti, 1997, del një shkrim tjetër ku thuhet se babai im është vrarë në rrethana të pa sqaruara”, ka thënë ai në Rtv Dukagjin në vjeshtën e vitit 2020.

Pra, ai me deklaratat e tij, paraprake ka dëshmuar, se pavarësisht se ka bashkëpunuar dhe ka vepruar në SHIK, ai nuk është pajtuar me vrasjen e babait të tij, Maliq Shehollit.

Dhe kjo sigurisht se mund ta ketë motivuar të vazhdojë bashkëpunimin me shërbimin inteligjent të Serbisë, dhe të ketë qenë një spiun i dyfishtë!

Konteksti dhe dëshmitë e KFOR-it amerikan

Edhe sipas dokumenteve të KFOR-it, disa emra të strukturës së lartë të SHIK-ut, përmenden se të paktën në të kaluarën kanë qenë bashkëpunëtorë të UDB-së.

Madje, ka shumë veta, që disa vrasje, të ish-agjentëve të UDB-së, në nivel të lartë në Kosovë, gjatë kohës së komunizmit, dhe më pas, si Ibush Kllokoqin, i lidhin me atë se dinin shumë për dosjet dhe emrat e ‘peshqve të mëdhenj’!

Ata thonë se vrasja e këtyre pas luftës, pa gjyq, këtë qëllim e kishte.

Pavarësisht nëse kjo hipotezë është e qëndrueshme ose jo, agresiviteti i tyre ndaj Rugovës, ndaj besnikëve të tij, formacionit të luftës nën urdhrat e Ministrisë së Mbrojtjes të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kërcënimet, rrahjet, torturat, e deri tek vrasjet, duket se janë motivuar pikërisht nga e kaluara e disa prej njerëzve që kishin një të kaluar të dyshimtë.

Po ashtu SHIK-u kishte bashkëpunuar ngushtë me Shërbimin Inteligjent të Shqipërisë (SHISH), ndërsa ky kuadrot e veta, top operativ, sipas KFOR-it, në qendër e parë që i dërgonte ishte Beogradi, e më pas vinin, Parisi dhe Vjena.

SHIK-u pas luftës nuk kishte kapacitete intelektuale profesionale, për të operuar dhe ndërtuar një strategji të duhur nacionale. Në mungesë të ekspertizës ata ishin të cenueshëm nga lojërat e shërbimeve sekrete, të agjentëve të SHISH-it, që ishin nën ndikimin e Serbisë ose edhe nga vetë UDB-ja.

Rasti i Shehollit, mund të jetë një rast i mire studimi dhe verifikimi nga AKI-ja se çfarë nuk duhet lejuar apo aprovuar inteligjenca e sigurisë së Kosovës.

Udhëheqësit e SHIK-ut duhet të tregojnë se edhe me sa ‘sheholl’ të tjerë, ish udb-ash kanë bashkëpunuar?!

Prandaj, pyetja themelore mbetet, kush ishin në të vërtetë ata që urdhëruan vrasjet politike, dhe që e udhëhoqën Kosovën, për më shumë se një dekadë, nga viti 2006!?