Më pak se 2 orë nga Tokio në Nju-Jork, Japonia i “parakalon” të gjithë

Japonia po hyn fuqishëm në garën për avionin e së ardhmes, pasi agjencia hapësinore japoneze JAXA ka realizuar me sukses një test të motorit hipersonik që mund të revolucionarizojë udhëtimet ajrore.

Ekspertët japonezë zhvilluan testin në Qendrën Hapësinore Kakuda, ku arritën të simulojnë një fluturim me shpejtësi Mach 5, ose rreth 6.100 kilometra në orë. Një teknologji e tillë do të mundësonte që një udhëtim mes Tokio dhe Neë York të kryhej në vetëm 1 orë e 45 minuta.

Ky projekt shkon shumë përtej avionëve aktualë supersonikë dhe tejkalon objektivat e kompanive që po përpiqen të rikthejnë fluturimet e stilit Concorde.

Gjatë provës, inxhinierët testuan një avion eksperimental kompakt të pajisur me motor me hidrogjen, ndërsa mjeti u ekspozua ndaj temperaturave ekstreme që afroheshin me 1.000 gradë Celsius. Një nga sfidat kryesore ishte mbrojtja termike e avionit, pasi temperatura të tilla mund të shkatërrojnë strukturat e avionëve tradicionalë.

Sipas JAXA-s, sistemi i izolimit termik funksionoi me sukses dhe arriti të mbante pjesët e brendshme të avionit në temperatura normale funksionimi. Përveç shpejtësisë, studiuesit analizuan edhe ndikimin mjedisor të motorit me hidrogjen dhe qëndrueshmërinë e teknologjisë hipersonike.

Ekspertët e konsiderojnë këtë një hap të madh drejt epokës së re të aviacionit, ku udhëtimet ndërkontinentale mund të reduktohen në vetëm pak orë. Edhe pse nuk ka ende një datë për përdorim komercial, Japonia po tregon se synon të jetë një nga liderët globalë të teknologjisë ajrore të së ardhmes.