Në Shqipëri u regjistruan 10 229 lindje në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, me një rënie prej 1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por rënia nuk është e njëjtë në të gjithë vendin. Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e tkurrjes është përqendruar në Tiranë dhe Durrës, ndërsa shumica e qarqeve të tjera kanë shënuar rritje.
Në Tiranë, në gjashtëmujorin e parë të vitit u regjistruan 4 748 lindje, nga 5 022 në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo do të thotë 274 lindje më pak, ose një rënie prej 5.5%.
Tirana ka shënuar kështu rënien më të madhe të lindjeve në vend, si në numër, ashtu edhe në ndikimin që ka në bilancin kombëtar.
Nëse Tirana do të përjashtohej nga statistikat, pjesa tjetër e vendit do të kishte regjistruar 166 lindje më shumë, ose një rritje prej rreth 3.1%.
Edhe Durrësi ka shënuar rënie. Lindjet në këtë qark janë ulur me rreth 5%. Të marra së bashku, Tirana dhe Durrësi kanë regjistruar 327 lindje më pak, ndërsa qarqet e tjera, në total, kanë pasur 219 lindje më shumë.
Kostot e jetesës rëndojnë mbi familjet e reja
Rënia e lindjeve në dy qarqet më të mëdha urbane vjen në një kohë kur kostot e strehimit dhe të jetesës janë rritur ndjeshëm. Tirana vijon të përqendrojë pjesën më të madhe të vendeve të punës, investimeve dhe shërbimeve, por njëkohësisht është përballur me rritje të forta të çmimeve të apartamenteve dhe qirave.
Në fillim të korrikut, qiraja mesatare për banesa në kryeqytet arriti në 721 euro në muaj, sipas të dhënave të agjencive imobiliare.
Kjo kosto është veçanërisht e rëndë për çiftet e reja. Sipas krahasimit me pagën mesatare mujore bruto të publikuar nga INSTAT për tremujorin e parë të vitit 2026, qiraja përbën rreth 77% të të ardhurave bruto, ose rreth 97% të të ardhurave neto të një individi.
Për shumë familje, blerja e një banese mbetet edhe më e vështirë. Kostot e kredisë, qirasë dhe kujdesit për fëmijët po zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe të të ardhurave.
Ekspertët e strehimit e kanë lidhur këtë situatë me largimin gradual të familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme nga Tirana, drejt zonave ku kostot e jetesës janë më të përballueshme.
Lindjet rriten në shumicën e qarqeve
Ndërsa Tirana dhe Durrësi kanë shënuar rënie, shumica e qarqeve të tjera kanë regjistruar rritje të lindjeve.
Fieri kryeson me 69 lindje më shumë, ose 9.9%. Pas tij renditen Berati me 11.1%, Dibra me 9.4% dhe Kukësi me 8.7%.
Rritje është regjistruar gjithashtu në Elbasan, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë, ndërsa Korça ka mbetur në të njëjtin nivel.
Rënie, përveç Tiranës dhe Durrësit, ka pasur vetëm Gjirokastra, me 19 lindje më pak. Ky qark ka një strukturë më të plakur të popullsisë, çka ndikon drejtpërdrejt në numrin e lindjeve.
Të dhënat tregojnë një ndryshim të rëndësishëm në hartën demografike të vendit: Tirana, që për vite ka tërhequr të rinjtë nga qarqet e tjera dhe ka pasur një peshë të lartë në numrin e lindjeve, po humbet terren.
Pesha e kryeqytetit në totalin e lindjeve ka zbritur nga 48.6% në 46.4% brenda një viti.
Kjo prirje ngre pikëpyetje mbi ndikimin që çmimet e banesave dhe kostot e larta të jetesës kanë mbi vendimet e çifteve të reja për të krijuar ose zgjeruar familjen.



