Tetova është qytet i dy universiteteve, që ka dhënë dëshmorë për arsimin, por për fat të keq arsimi në shkollat e Tetovës është në gjendje të mjerueshme. Kështu ka reaguar sot nisma e aktivistëve Më Mirë për Tetovën, transmeton Portalb.mk.
Agon Memedi tha se emërimi i drejtorëve bëhet sipas përkatësisë partiake dhe interesave politike.
“Në Tetovë kemi shkolla ku 13 drejtorë janë ndryshuar brenda dy viteve. Kjo dukuri duhet të ndryshojë dhe drejtorët e shkollave të zgjidhen nga kolektivi i shkollës, sipas meritës dhe përvojës, dhe jo të vendosen në shtabet partiake”, tha Memedi.
Ai shtoi se arsimtarët dhe drejtorët e shkollave nuk duhet t’i shohim nëpër tubime partiake.
“Të punësuarit me kontratë kushtëzohen me pjesëmarrje në aktivitete partiake për të siguruar vendin e punës. Në disa raste edhe nxënësit kushtëzohen për pjesëmarrje në tubime partiake në shkëmbim për përmirësim të notave dhe mungesave. Nga gjithë kjo më së shumti pësojnë nxënësit”, tha Memedi.
Nga MMPT bëjnë thirrje që të ndalohet partizimi i arsimit në shkollat e Tetovës.