Me fushatë dhe telefonata Filipçe do t’i bindë qytetarët të vaksinohen kundër Co vid

Do të organizojmë fushatë dhe do të bëjmë telefonata për t’i bindur qytetarët që të vaksinohen kundër Covid-19, ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe derisa është përgjigjur në pyetjen: Pse qytetarët janë pak të interesuar për t’u vaksinuar?

“Ne planifikojmë edhe fushatë. Planifikojmë edhe telefonata nëpërmjet mjekëve amë. Unë besoj se sikurse e bëmë me epideminë e Morbilit, do ta bëjmë të njëjtën edhe tani”, tha Filipçe, transmeton TV21.

Ai ka njoftuar se deri tani, janë paraqitur rreth 180 mijë qytetarë mbi moshën 70-vjeçare dhe të sëmurë kronikë. 50 mijë prej tyre, janë paraqitur nëpërmjet mjekëve amë dhe ueb faqes “Vakcinacija.mk”.

Si të rëndësishme në këtë situatë, Filipçe e ka vlerësuar interesimin e lartë të personelit mjekësor për t’u vaksinuar, pasi siç tha, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Greqi./TV21