Shkruan: Safet Xhelali
Artan Grubi e pranoi shumë qartë se BDI-së i ka ardhur koha të shkojë në opozitë, sepse nuk e din çka po ndodh në qeveri! Ai e tha ashiqare se kjo parti nuk ka pasur informacion se i tërë Ligji për gjuhët shkon në Komisionin e Venedikut, e jo vetëm disa pjesë të tij.
Jam i bindur që po të ishte ndarë ndonjë tender pa dijen e BDI-së, me siguri kjo parti do ta kishte lëshuar qeverinë. Mirëpo Ligji për gjuhët punë e madhe! Domethënë paska qenë e vërtetë se zhurma 18 vjeçare e BDI-së për legalizimin gjuhës shqipe është e rrejshme, dhe se atyre nuk ju intereson gjuha shqipe, por interesi personal. Ngado që ta kthesh, këtë e thotë edhe vetë Artan Grubi, duke pranuar se nuk kanë qenë të njoftuar çka shkon e çka nuk shkon në Venedik. Këtë e konfirmoi edhe Ali Ahmeti, duke thënë se Venediku shqyrton çështje që tangojnë pakicat. Domethënë BDI, partia e fuqishme e koalicionit, nuk e paska ditur se qeveria de facto paska shpallur shqiptarët pakicë (sipas Ali Ahmetit). Aq shumë paskan qenë të dhënë pas tenderëve, saqë nuk e paskan vërejtur që qeveria na ka shpallur pakicë.
Kush e njeh pak karakterin politik të Artan Grubit, do e kuptojë menjëherë se ai me këtë pranim të pafuqisë së BDI-së, ua ka futur “baxhak” (topin mes këmbëve) edhe funksionarëve të BDI-së në qeveri, por edhe vetë kryetarit të partisë Ali Ahmeti. De facto ai i ka shpallur të retarduar (debila) zëvendës kryeministrat Bujar Osmani dhe Sadulla Duraku. Të kesh si subjekt dy zëvendës kryeministra në qeveri dhe të thuash se nuk e din se çka ka vendosur ajo qeveri për një çështje aq të rëndësishme, vetvetiu do të thotë se zëvendës kryeministrat tu janë të retarduar, e bashkë me to edhe ministrat tjerë. Sipas mendimit tim, edhe më të retarduar me këtë deklaratë Grubi e ka shpallur kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Krejt BDI-ja thotë se Ali Ahemti është faktori kryesor në qeveri, e madje edhe në Maqedoni. Nëse faktori kryesor nuk e ka ditur se çka bën qeveria me një Ligj aq të rëndësishëm, atëherë ai nuk është në vete. (Le të më përmirësojë dikush nëse jam gabim, por kështu e thotë logjika e shëndoshë. Artan Grubi ndoshta dëshiron që ne t’i kuptojmë deklaratat e tij ashtu siç i konvenon partisë së tij, mirëpo ne duhet ti kuptojmë në bazë të logjikës, e jo ashtu siç i konvenon ose nuk i konvenon një partie).
Për fund, nuk përjashtoj mundësinë që ndoshta Grubi po dërgon mesazh te kreu i partisë se nëse nuk e zgjedhin sekretar të përgjithshëm në Kongres dhe nëse nuk e kandidojnë si bartës liste, din t’ua fusë edhe bashkëpartiakëve. Këtë gjë le ta mendojnë më mirë vetë ata brenda partisë, sepse ne nuk u kemi borxh një gjë të tillë. Hullari si duket ka filluar të shkulet nga vendi!
(Ju lutem bashkë me këtë tekst ta publikoni edhe linkun me deklaratën e Artan Grubit në Tv Telma. Falemnderit.)