Me dëgjimin e dëshmitarëve me propozim të Prokurorisë Publike në sallën e gjyqit në “Idrizovë” sot duhet të vazhdojë gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” të Koçanit, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.
Në seancën e kaluar u dëgjuan disa dëshmitarë, të cilët në natën e kobshme ishin në diskotekë. Në dëshmitë e tyre ata e përshkruan atmosferën e panikës dhe kaosit që ndodhi në momentin kur stuhitë e zjarrit dhe tymi e përfshinë diskotekën e mbushur, si dhe pasojat që vuajnë deri më sot.
Për seancën e sotme, siç është njoftuar, duhet të dëgjohen edhe pesë dëshmitarë.
Në fillim të procesit, në fjalën hyrëse, prokurori Borçe Janev tha se gjykimi është një hap drejt konfirmimit të përgjegjësisë personale dhe institucionale duke theksuar se shoqëria duhet të përballet me të vërtetën – kush lejoi, kush heshti dhe kush nuk parandaloi të ndodh tragjedia në “Puls”. Janev theksoi se kërkohet drejtësi, jo si hakmarrje, por si pasojë e paligjshmërisë dhe detyrës së lënë pas dore.
Të pandehurit që deklaruan se nuk ndjehen fajtorë, përmes avokatëve të tyre, nga ana tjetër, e kontestuan bazën e aktakuzës. Mbrojtësit e tyre pohojnë se të akuzuarit nuk kanë ndërmarrë veprime që mund të kishin çuar në zjarr, se ata posedonin dokumentacion të vlefshëm dhe se tragjedia është rezultat i lëshimeve institucionale, ndërsa jo i fajit individual. Mbrojtja njoftoi paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve, që sipas tyre, do ta konfirmojnë këtë tezë.
Më 16 mars të vitit 2025, gjatë pjesëmarrjes së grupit DNK në diskotekën “Puls” në Koçan, shpërtheu zjarr, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan. Në objekt kishte më shumë vizitorë se numri i lejuar, mes të cilëve edhe të mitur, ndërsa mjetet piroteknike u aktivizuan pa leje. Objekti ka punuar në mënyre ilegale më shumë se një dekadë, pa kushte teknike minimale, me rikonstruime pa leje dhe pa sistem për mbrojtje kundër zjarreve.
Për aksidentin u akuzuan mbi 30 persona fizik dhe tre juridik. Mes tyre ka pronarë lokalesh, menaxherë, inspektorë, ish kryetarë komunash, anëtarë të sigurimit dhe zyrtarë shtetëror.
Gjykimin do ta udhëheq gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa prokuroria është përfaqësuar nga një ekip prej 15 prokurorësh publik.



