Me 75 vota “për” dhe asnjë “kundër”, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në seancën e sotme përcaktoi nevojën për miratimin e Projektligjit për Prokurorinë Publike, me ç’rast zgjidhja ligjore kaloi fazën e parë të procedurës parlamentare. Në ditët në vijim, do të mbahet debat publik mbi projektligjin në kuadër të Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, transmeton Portalb.mk.
Në shpjegimin e tij para deputetëve, ministri i Drejtësisë Igor Filkov theksoi se zgjidhja e re ligjore parashikon modernizim gjithëpërfshirës të organizimit, kompetencave dhe funksionimit të sistemit prokurorial.
“Me këtë ligj, po krijojmë kushte për funksionim më efikas, transparent dhe të përgjegjshëm të prokurorisë publike. Qëllimi ynë është sistem modern prokurorial që do të punojë në interes të qytetarëve dhe do të kontribuojë në luftë më efikase kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Filkov.
Ai theksoi se reforma është rezultat i një procesi që filloi në nëntor 2024, kur u formua një grup pune me pjesëmarrjen e ekspertëve, profesorëve, prokurorëve, gjyqtarëve, avokatëve, përfaqësuesve të sektorit joqeveritar dhe komunitetit ndërkombëtar, përfshirë OSBE-në dhe Bashkimin Evropian.
Sipas ministrit, përgatitja e ligjit përfshiu rekomandimet e Strategjisë së Zhvillimit të Sektorit të Drejtësisë, Agjendën e Reformës, rekomandimet e GRECO-s, si dhe raportet e Komisionit Evropian.
Filkov informoi se projektligji iu dorëzua për mendim edhe Komisionit të Venedikut, i cili dha mendim pozitiv me disa rekomandime që u përfshinë në tekstin përfundimtar.
Zgjidhjet e reja ligjore, tha ai, prezantojnë një sistem merite për përzgjedhjen, ngritjen në detyrë dhe vlerësimin e prokurorëve, forcojnë pavarësinë e tyre dhe përmirësojnë organizimin e punës në prokurori.
Gjithashtu, parashikohet transparencë më e madhe në përzgjedhjen e prokurorit publik përmes një seance publike të Këshillit të Prokurorëve Publikë, prezantimit të programeve të kandidatëve dhe publikimit publik të biografive të tyre.
Ligji gjithashtu parashikon një procedurë më të qartë disiplinore me afate për veprim, si dhe masa për të parandaluar abuzimin.
Nga opozita, deputetja Sonja Mirakovska nga PRSD vlerësoi se ligji i propozuar nuk përfaqëson reformë thelbësore dhe se prezanton një hierarki të fortë në prokurori.
“Një zgjidhje e tillë shkel parimin e pavarësisë së prokurorëve dhe nuk bën kufi të qartë midis hierarkisë organizative dhe pavarësisë funksionale”, tha Mirakovska, duke shtuar se opozita do të propozojë amendamente.
Deputeti Malisha Stankoviq nga Partia Socialiste e Maqedonisë vlerësoi se ligji është një bazë e mirë për reforma, duke theksuar se besimi në Prokurorinë Publike është shumë i ulët.
“Me besim prej vetëm dy përqind, është një organ jofunksional. Nevojiten ndryshime ligjore për të përmirësuar sistemin”, tha Stankoviq.
Në të njëjtën seancë, Parlamenti miratoi gjithashtu Ligjin për Prodhimin Organik Bujqësor, si dhe Raportin Vjetor mbi Punën e Komisionit për Mbikëqyrjen e Zbatimit të Masave të Mbikëqyrjes së Komunikimeve për vitin 2025.
Ligji në fjalë është pjesë e Agjendës reformuese, që kishin afat miratimi deri në qershor dhe dhjetor, por që vendi nuk arriti t’i përmbushë në kohë.





