Mbyllja e shkollave në fshatrat e Strugës ndez përplasjet politike

Mbyllja e shkollave periferike në fshatrat e Strugës Bogojcë, Xhepisht dhe Poum është e padrejtë dhe rezultat i standardeve të dyfishta, akuzon opozita shqiptare në këshillin komunal të Strugës. Sipas tyre, shkollat në disa mjedise rurale maqedonase, të cilat përballen me të njëjtat probleme, kanë vazhduar të punojnë. I vetmi objekt shkollor të cilit i është vënë dryni është ai në fshatin Nerez.

„Kemi fshatra si Piskopshtinë, Llukovë, Tashmarunisht, të cilët kanë nga tre apo katër nxënës. Dhe nëse kriter janë kushtet në shkolla, edhe ato kushte i kemi verifikuar me vizitë në këto shkolla gjatë këtyre ditëve, për fat të keq, as atyre fëmijëve atje nuk u janë mundësuar kushte përkatëse. Standardi nuk është i barabartë, as për fëmijët e Bogojcës, Poumit dhe Xhepishtit, as për fëmijët e këtyre vendbanimeve. Pikërisht kjo ishte ajo që kërkuam edhe në Këshillin Komunal – të ketë një kriter, një standard për të gjithë fëmijët, për të gjithë nxënësit dhe për të gjithë qytetarët. – Faton Pollozhani-këshilltar nga AKI

Pollozhani thotë se janë të vetëdijshëm për uljen e numrit të nxënësve, si dhe për nevojën e racionalizimit të rrjetit shkollor, por se kjo duhet të bëhet përmes një procesi transparent, në të cilin do të përfshihen më shumë faktorë lokalë, si dhe opozita.

„Sot, prindërit nga Bogojca, përkatësisht fëmijët që ndjekin mësimin në klasën e parë, të dytë dhe të tretë, do të duhet të udhëtojnë rreth shtatë kilometra për të ndjekur mësimin. E konsiderojmë këtë si të papranueshme dhe në praktikë vështirë të realizueshme, veçanërisht duke parasysh edhe kushtet klimatike në të cilat gjendet ky vendbanim,“ tha Faton Pollozhani-këshilltar nga AKI.

Edhe nga LSDM në Strugë thonë se vendimi për mbylljen e 4 shkollave ishte skajshmërisht i nxituar dhe se nuk do të mbështesin vendime që janë marrë nën presion, në mënyrë të paligjshme dhe që i bëjnë dëm procesit arsimor në Strugë. Pak ditë më parë reaguan edhe banorët e Bogojcës. Sipas tyre, ky vendim krijon vështirësi të mëdha për nxënësit, të cilët duhet të ndjekin mësimin në Tatesh, veçanërisht në muajt e dimrit, meqë Bogojca është fshat malor.

Lidhur me akuzat, kryetari i komunës Mendi Qyra thotë se bëhet fjalë për fushatë politike. Është e vërtetë, thotë ai, se ka dy shkolla të tilla në mjediset maqedonase, por numri i nxënësve atje është më i madh se në shkollat e tjera që janë mbyllur. Problem shtesë, thotë ai, është se ato fshatra ishin 35-40 kilometra larg qytetit, ku transporti për ata fëmijë do të ishte vështirë i realizueshëm. Por sipas tij, ka pasur edhe shkolla shqipe me numër të ngjashëm nxënësish të cilat nuk janë mbyllur. Thotë se në të gjithë procesin kanë punuar 3 muaj së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe se asgjë nuk ka qenë sekrete.

“Ne në 4 shkolla kishim mes 9 dhe 10 nxënës. Ne morëm parasysh faktin se ata fëmijë duhet të socializohen, duhet të jenë më efikasë në mësim dhe gjëja e tretë është pjesa financiare. Në Strugë ka 11 shkolla qendrore që është tepër. Tani po punojmë për këtë, e po punojnë edhe ekspertët për të parë se si të veprojmë më tutje. Mendoj se këtë vit ndërmorëm një hap radikal dhe unë e di se kështu është. POR vitin e ardhshëm situata do të jetë më e qetë dhe besoj se vitin e ardhshëm nuk do të mbyllim dhe nuk do të reduktojmë paralele,” tha Mendi Qyra-kryetar i Strugës.

Përveç kësaj, në 11 shkolla fillore nga 1 shtatori erdhi deri te shkurtimi i gjithsej 30 paraleleve. /Alsat.mk