Mbyllja e deponisë në Nikushtak, Nexhmedin Sadiku: Atë që e premtuam, e realizuam!

Kandidati i VLEN për Komunën e Likovës, Nexhmedin Sadiku, ka bërë të ditur se është mbyllur përfundimisht deponia në fshatin Nikushtak, një problem i kahmotshëm që, sipas tij, ka helmuar banorët përreth për më shumë se dy dekada.

“Pas 24 vitesh neglizhencë nga qeverisjet e kaluara, ne arritëm ta mbyllim këtë deponi. BDI-ja kishte pushtetin lokal dhe qendror, por nuk mori masa. Tani, vetëm për një vit, ne treguam se me përgjegjësi dhe vendosmëri mund të zgjidhen problemet tona,” u shpreh Sadiku.

Ai falënderoi zëvendëskryeministrat Arben Fetai dhe Izet Mexhiti për, siç e quajti, një vendim historik, ndërsa veçoi edhe kontributin e banorëve të zonës:

“Falënderoj banorët për vetëdijen e lartë dhe aktivizmin e tyre, të cilët ndaluan me forcë kamionët e Komunës që e mbushnin këtë deponi. Ky është shembull se si qytetarët dhe institucionet e përgjegjshme mund të punojnë bashkë për të mirën e përbashkët.”

Sadiku theksoi se ky është vetëm fillimi i një qasjeje të re në qeverisjen lokale:
“Me ndihmën e Qeverisë dhe me një udhëheqësi të re e të pastër në komunë, do t’i zgjidhim të gjitha problemet tona, një nga një.”