Mbrojtja paraqet prova materiale për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend

Gjykata e pranoi kërkesën e mbrojtjes për marrjen në pyetje të shefit të forenzikës digjitale në Ministrinë e Punëve të Brendshme, lidhur me ekspertizat e përpunuara të paraqitura në seancat e mëparshme, por nuk e pranoi ndarjen e tyre nga lista e provave.

Seanca dëgjimore e sotme e gjyqit për organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend, vazhdon me prezantimin e provave materiale nga mbrojtja, ndërsa Marijan Stoillkovski – shef në MPB gjatë përgatitjes së ekspertizës të telefonave celular, do të thirret dhe dëgjohet në mënyrë shtesë.

Gjykatësi, Ilija Tërpkov tha se pranohet propozimi i Marijan Stoilkovskit i punësuar si shef i forenzikës digjitale në Ministrinë e Punëve të Brendshme për t’u dëgjuar si dëshmitar.

“Propozimi për t’u ndarë deklaratat e tre dëshmitarëve nga lista e provave për ekspertizën që ata përgatitën si punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) refuzohet si e pabazë. Mbrojtja mund të hedh poshtë dhe t’i thërrasë dëshmitarët e vet që mund të hedhin poshtë prova të tilla”, deklaroi gjykatësi Tërpkov.

Avokati Elenko Milanov, në fillim të seancës së sotme i kërkoi gjykatës që t’i veçojë nga lista e provave ekspertizat e paraqitura në dy seancat e mëparshme, sepse siç tha ai, “që të tre para gjykatës thanë se nuk kanë licencë si ekspert”.

“As institucioni që e përfaqësojnë këta të tre nuk ka licencë për të kryer dhe ekspertizë telekomunikimi dhe digjitale”, tha Milanov.

“Para se të vazhdoni me prezantimin e provave nga mbrojtja,” tha Millanov, “kërkoj që në gjykatë të thirren dhe dëgjohen personat përgjegjës që i nënshkruan dhe miratuan këto ekspertiza”.

Prokurorja Publike, Ivana Trajçevska kërkoi të mos pranohet propozimi i mbrojtjes, duke theksuar se kjo është provë që do të përcaktojë punë relevante të rëndësishme për rastin, ndërsa të cilat nuk janë mbledhur në mënyrë të paligjshme.

“Për t’i kryer ekspertizat personat duhej të kishin njohuri dhe certifikata për të punuar me softuerë të caktuar të njohur ndërkombëtarisht dhe të cilat i posedojnë këta persona. Kjo është arsyeja pse unë sugjeroj që gjykata të mos e pranojë kërkesën e mbrojtjes”, deklaroi Trajçevska.

Kërkesa e mbrojtjes për marrjen në pyetje të personave përgjegjës prej nga janë bërë ekspertizat, tha Trajçevska, mendoj se është vetëm me qëllim të vonimit të procedurës.

Çështja është në procedurë dëshmie dhe e udhëheq gjykatësi, Ilija Tërpkov.

Të pandehurit në këtë rast janë ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski, ish-ministrat e Transportit dhe Lidhjeve dhe Arsimit, Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski si dhe ish drejtori i DSK-së, Vlladimir Atanasovski.

Ata akuzohen se kanë kryer vepër penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë.