Lando Norris është shpallur kampioni i ri i botës në Formula 1, duke mbyllur një sezon dramatik dhe emocionues deri në xhiron e fundit të garës së Abu Dabit. Piloti britanik i McLaren arriti të sigurojë titullin e parë në karrierë me vetëm dy pikë avantazh ndaj rivalit të tij të drejtpërdrejtë, Max Verstappen.
Gara finale foli në favor të holandezit, i cili u nis nga “pole position” dhe dominoi ritmin deri në flamurin me kuadrate, duke shpresuar që skenari pas tij të kthehej në favor të tij në renditjen e përgjithshme. Megjithatë, Norris bëri pikërisht atë që duhej: ruajti qetësinë, shmangu rreziqet dhe mbrojti pozicionin e tretë – rezultati minimal që i duhej për t’u kurorëzuar kampion.
Në momentet e para të garës, britaniku humbi pozicionin ndaj shokut të tij të skuadrës, Oscar Piastri, por rikuperoi kontrollin e ritmit dhe menaxhoi në mënyrë perfekte presionin e jashtëzakonshëm që vinte nga pas.
Në fund, triumfi i tij u vulos teksa tre makinat – Verstappen, Piastri dhe Norris – kaluan finish-in në atë renditje, duke mbyllur një sezon historik për McLaren dhe për vetë pilotin britanik.
Renditja finale e kampionatit:
• Lando Norris – 423 pikë
• Max Verstappen – 421 pikë
• Oscar Piastri – 410 pikë
Një epilog spektakolar për një sezon që do të kujtohet gjatë në historinë e Formula 1.
© SYRI.net




