Mbretëria e Bashkuar emëron të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri britanik Boris Johnson ka emëruar të dërguarin e posaçëm për Ballkanin
Perëndimor si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për
zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit.

Sir Stuart Peach do ta marrë detyrën e re pasi të ketë dhënë dorëheqje nga detyra e
Kryetarit të Komisionit Ushtarak të NATO-s, një rol të cilin e mban prej vitit 2018. Më
parë ai ka shërbyer edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.
Si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit, Sir Stuart Peach do të punojë me liderët e
Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon, dhe aleatët në SHBA dhe Evropë, për të
mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal. Puna e tij do të përfshijë gjithashtu
promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke
favorizuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe sfidat e tjera të përbashkëta të
sigurisë, si dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara, si krimet e luftës
dhe personat e zhdukur.

Lidhur me këtë të fundit, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë gjithashtu të
udhëheqë punën për avancimin e barazisë gjinore dhe zbatimin e Iniciativës për
Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt. Në Bosnje dhe Hercegovinë, puna e
Sir Stuart Peach do të mbështesë atë të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar,
Christian Schmidt, i cili vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të Britanisë. Për Serbinë
dhe Kosovën, ai do të punojë me partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të dialogut
Serbi-Kosovë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri Boris Johnson tha:
“Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e përkushtuar ndaj sigurisë në Evropë.
Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë
në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi
për të ruajtur sukseset e arritura përmes paqes dhe dialogut – nuk mund të lejojmë
asnjë kthim në dhunën dhe ndasitë e së kaluarës. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e
Sir Stuart Peach do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen
dhe për të promovuar integrimin euroatlantik në këtë rajon kyç.”
Për Bosnje dhe Hercegovinën, Përfaqësuesi i Lartë ka paralajmëruar se vendi po
përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës dhe se
ka një perspektivë reale për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm. Së bashku me
partnerët ndërkombëtarë, Mbretëria e Bashkuar po punon për të luftuar çdo
kërcënim ndaj stabilitetit në përputhje me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, e cila
ka qenë në themel të 26 viteve përparim të fituar me vështirësi në Bosnje dhe
Hercegovinë.

Mbretëria e Bashkuar po ndihmon gjithashtu në përgjigjen ndaj sfidave të tjera
rajonale, duke përfshirë mbështetjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë
dhe Kosovës, dhe luftën ndaj grupeve të krimit të organizuar. Mbretëria e Bashkuar
do të luaj një rol të rëndësishëm, duke punuar ngushtë me qeveritë e Rajonit dhe
partnerët ndërkombëtarë.

Ministrja e Jashtme Liz Truss tha:
“Emërimi i Sir Stuart Peach është një demonstrim i qartë i përkushtimit të Britanisë
për Ballkanin Perëndimor dhe për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë dhe
demokracisë në rajon. Mirëpres thellimin e lidhjeve ekonomike dhe të sigurisë me
Ballkanin Perëndimor si dhe punën së bashku për të penguar aktorët keqdashës. Sir
Stuart Peach do të luajë një rol kyç në këtë drejtim.”

Ambasadorja e MB-së Rachel Galloway tha:
Si Ambasadore e Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut, fuqishëm e
mirëpres emërimin e Sër Stjuart Piç si i dërguari special i kryeministrit për Ballkanin
Perendimor. Në bashkëpunim të ngushtë me ambasadata britanike në rajon, Sër
Stjuart do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe aleatët tanë për të
mbështetur dhe forcuar stabilitetin rajonal. Emërimi i tij është kryesisht sinjal i forte i
angazhimit të vazhdueshëm britanik për forcimin e marrëdhënieve me vendet e
Ballkanit Perëndimor, për sigurinë dhe prosperitetin e këtij rajoni të rëndësishëm. E
mirëpres bashkëpunimin tanë.

Situata politike në Ballkanin Perëndimor është diskutuar në takimin e Ministrave të
Jashtëm të NATO-s në Riga, si dhe në takimin e Ministrave të Jashtëm të G7-s në
Liverpool.

Shënim:
Vendet e Ballkanit Perëndimor janë: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova,
Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Sëbia. Sër Stjuart, gjithashtu do të punojë me pale
të intresuara nga rajoni më i gjërë, duke përfshirë edhe vendet fqinje dhe organizatat
ndërkombëtare përkatëse.