Mbi tetë mijë terroristë janë dëbuar nga Turqia që nga viti 2011

Turqia ka deportuar gjithsej 8,585 terroristë të 102 kombësive që nga viti 2011, si pjesë e përpjekjeve për të garantuar sigurinë e vendit brenda dhe përtej kufirit.

Ministria e Brendshme e Turqisë tha se terroristët ishin larguar nga vendet e tyre për t’u bashkuar me radhët e grupeve terroriste si Daesh/ISIS ose PYD/PKK, shkruan Anadolu, transmeton Klankosova.tv.

Rreth 44 shtetas amerikanë dhe 1,075 shtetas të vendeve anëtare të BE-së u deportuan gjatë dekadës së fundit.

Si pjesë e luftës së Turqisë kundër terrorizmit, në vitin 2019 u deportuan 126 terroristë nga 12 vende të BE-së, të ndjekur nga 95 terroristë nga tetë vende të BE-së vitin e kaluar dhe 61 nga tetë vende të BE-së në 10 muajt e parë të këtij viti.

Ata të deportuar në vendet e origjinës në tre vitet e fundit janë kryesisht nga Franca, Gjermania, Holanda, Belgjika, Finlanda, Suedia, Rumania dhe Britania e Madhe, shtohet deklarata.

Në vitin 2013, Turqia u bë një nga vendet e para që e shpalli DAESH/ISIS një grup terrorist.

Terroristët e Daesh/ISIS kanë kryer sulme të shumta kundër Turqisë, duke përfshirë të paktën 10 sulme vetëvrasëse, shtatë bomba dhe katër sulme të armatosura, të cilat vranë 315 njerëz dhe plagosën qindra të tjerë.