Mbi retorikën boshe të bashkimit

Shkruan: Enver Robelli  

Kur brenda një dekade mbi gjysmë milioni njerëz ikin nga Shqipëria dhe Kosova, politikanët e kërkojnë “shpëtimin” te retorika për bashkim. Ndryshe flasin para shqiptarëve, ndryshe në Bruksel dhe Washington. Në skenën e madhe të politikës botërore nënshkruajnë çdo traktat për mosndryshim kufijsh, në skenën e vogël lokale flasin fjalë të mëdha. A është vështirë të kuptohet kjo parodi? Jo aq.

Përtej kundrimeve teorike mbi bashkimin e shqiptarëve, që nënkupton bashkimin e Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë, duhet marrë parasysh këtë: si Kosova ashtu edhe Shqipëria kanë garantuar mosprekjen e kufijve – dhe këtë e kanë bërë përmes të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare. Është thënë se Kosova po shpallet shtet me vullnet të lirë të shumicës së qytetarëve të saj. Nuk është thënë se ky është vetëm një mashtrim për bashkësinë ndërkombëtare sa për ta bërë Kosovën të pavarur dhe për t’ia bashkangjitur asaj Shqipërisë.

Dëshira për bashkim vjen më shumë nga frustrimi në vendet përkatëse si pasojë e krimit e korrupsionit se sa nga përfytyrimi i qartë se çka domethënë ky bashkim, sa është i mundur, çka shkakton ai brenda hapësirë shqiptare sidomos në kuptimin politik? Mandej: a mund të merret me mend bashkimi i Kosovës me Shqipërinë me këta kufij që i ka Kosova? Tjetër gjë është dëshira.

Pastaj: një bashkim i një kombi në Ballkan zgjon apetite edhe te të tjerët, pa marrë parasysh se çka mund të mendojnë shqiptarët. Po jetojnë Gjermania e Austria afër njëra-tjetrës pa probleme. Pse qenka kaq vështirë kjo mes Kosovës dhe Shqipërisë? Nuk është fare. Kosova po (keq)përdoret për parada populliste në Tiranë (e këtu edhe partia qeverisëse në Kosovë ka “merita”).

Retorika e politikanëve me temën e bashkimit është boshe. Do kemi president të përbashkët, thoshte kryeministri i Shqipërisë. Më 2018 e tha. E pyeti kënd ai për këtë? Kjo nuk është hajgare. Ose është, sepse në njërën anë thua “bashkim, bashkim”, në anën tjetër Tirana ka vënë nënshkrimin në çdo traktat ndërkombëtar për mosndryshim kufijsh (OSBE, NATO, në procesin e integrimeve europiane). Edhe Kosova e ka bërë këtë.

Pas kulisave ky është mendimi i disa njerëzve me ndikim në Tiranë që nuk flasin aq publikisht, por udhëheqjes së atjeshme ia kanë bërë të qartë rezervat ndaj retorikës “bashkuese”. Shënimet në vijim janë citate parafrazuese:

1. Bashkimi domethënë prishje e balancit fetar, pra dominim i myslimanëve.

2. Bashkimi domethënë prishje e balancit urban. Një pjesë e madhe e shqiptarëve jetojnë në qendra urbane si Tirana, Durrësi dhe Vlora. Bashkimi me gati dy milionë kosovarë e prish këtë kornizë dhe dominon elementi rural.

3. Traditat krejtësisht të ndryshme shtetërore, shtetformuese, shtetndërtuese, burokratike, institucionale. (Ky nuk është faji i shqiptarëve, por rezultat i zhvillimeve dramatike gjeostrategjike në shekullin e 20-të).

4. Prishja e kohezionit të tanishëm politik dhe social të Republikës së Shqipërisë.

Ishte indikative para disa ditësh kur emisari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, në grindjen e tij me kryeministrin e Shqipërisë tha se “Ballkani i Hapur” nuk mund të funksionojë pa 6 shtetet e Ballkanit dhe po ashtu nuk mund të funksionojë pa qenë kufiri i Kosovës me Serbi kufi ndërkombëtar, pra i pranuar nga Beogradi. Pra, Escobar e vuri theksin këtu – te kufiri. Sepse amerikanët e kanë kuptuar se politikanët serbë kanë vetëm një cak: ta shtyjnë Kosovën drejt ndarjes, pastaj bashkimit me Shqipërinë, në mënyrë që kjo të përdoret si argument për bashkimin e “republikës serbe” të Bosnjës me Serbinë, e ndoshta edhe për zgjerimin e apetiteve serbe ndaj Malit të Zi.

Si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë janë humbur 20 vjet për të ndërtuar projekte të rëndësishme nacionale. Një “rrugë e kombit” edhe sot nuk ka përfunduar, edhe sot lopë dhe gjallesa të tjera, biçiklistë dhe llafazanë e shohin autostradën si ahur apo si pjesë të dhomës së ditës për muhabet. Qe një çerekshekull flitet për abetare të përbashkët. U fol edhe në Elbasan. Pse nuk u bë deri më sot? Në të dy vendet ekonomitë nuk janë fare konkurruese në nivel ndërkombëtar. Eksporti është minimal, importi enorm. Diasporat e mëdha e mbajnë me remitenca një pjesë të madhe të shoqërisë dhe kështu ruajnë paqen sociale. Por edhe sa?

Retorika boshe për bashkim i ka sjellë të dy vendet këtu: me mbi gjysmë milioni shqiptarë të ikur në Perëndim brenda 10 vitesh. Jemi një – por kjo i ka edhe anët e saj negative. Për shembull retorikën pa përmbajtje dhe aleancën me oligarkë, siç e pamë në Elbasan ndërsa kryeministri i Kosovës vërtitej e shtyhej si ariu nëpër pazar ndërsa oligarku dhe kryeministri i atjeshëm hidhnin batuta.

Në vend të retorikës për bashkim më mirë të flitet për një çështje thelbësore: pse në të dy vendet liria ka domethënie vetëm për një “elitë” të hollë që ndan, vjedh e plaçkit resurset, ndërsa pjesa tjetër vuan nga pabarazia? Tashmë ndarja ka ndodhur: “elitat” jetojnë të ndara nga qytetarët, jetojnë në “fshatra të veçanta” pranë metropoleve, larg “llumpenproletariatit”, i cili këtë botë të pasunarëve e sheh vetëm kur shkon për të çuar ndonjë pizza, peshk të freskët apo për të ndrequr rrymën apo ndonjë kanalizim. Meqë me këtë çarje të madhe shoqërore nuk po merret askush, politikanët e kanë gjetur temën e tyre për të argëtuar miletin: këtu thonë bashkim, në Bruksel dhe në Washington thonë krejt diçka tjetër. A është vështirë të kuptohet kjo parodi?