As këtë shtator nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” dhe nxënësit e paraleleve shqipe të “Nace Bugjonit” nuk do ta fillojnë procesin mësimor në objektin e ri, pavarësisht se Qeveria dhe Komuna e Kumanovës prej më shumë se 10 vjetësh vazhdojnë të premtojnë ndërtimin e tij. Nga ana tjetër, nxënësit vazhdojnë ta ndjekin procesin edukativo-arsimor në kushte të vështira dhe në objektet e një ish-fabrike me klasa të improvizuara, shkruan Portalb.mk.
Problemi me kushtet në të cilat zhvillohet mësimi nuk është i ri. Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” kishin kërkuar zgjidhje për vite me radhë dhe gjenerata të tëra nxënësish e kanë ndjekur arsimin e mesëm në objektin aktual, pavarësisht premtimeve për shkollë të re.
Një nxënës i gjimnazit “Sami Frashëri” për Portalb.mk tha se zvarritja e ndërtimit të objektit të ri ndikon drejtpërdrejt në kushtet e tyre të mësimit. Ai theksoi se mungesa e kabineteve, hapësirave të përshtatshme dhe sallës sportive ua vështirëson zhvillimin normal të procesit mësimor.
“Ne prej vitesh dëgjojmë se objekti i ri do të përfundojë së shpejti, por përsëri po e nisim vitin shkollor në të njëjtat kushte. Duam vetëm të kemi një shkollë ku mund të mësojmë normalisht dhe të zhvillojmë aktivitetet që i kanë nxënësit në shkollat e tjera”, u shpreh nxënësi.
Një tjetër nxënës tha se përveç mungesës së hapësirave të përshtatshme, në objektin aktual përballen edhe me probleme të tjera gjatë përditshmërisë.
“Ka shumë pluhur dhe izolimi nuk është i mirë. Sidomos gjatë dimrit kushtet janë të vështira dhe nuk është ambienti më i përshtatshëm për të mësuar”, u shpreh ai.
Në anën tjetër, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) thonë se projekti ka ngecur për shkak të mungesës së mjeteve financiare, ndërsa finalizimi i tij pritet të varet nga rebalanci i buxhetit ose buxheti i vitit 2027.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, për Portalb.mk, tha se punimet janë duke vazhduar në pjesën ku ka mjete për vazhdimin e punimeve. Ai tha se në projektin fillestar nuk janë paraparë mjete për të gjitha procedurat dhe tani projekti ka ngecur dhe mungojnë mjete për finalizimin e projektit.
“Presim rebalanc në nëntor dhe do shohim mundësitë për t’i siguruar mjetet. Nëse jo atëherë me buxhetin e vitit 2027 garantojmë që do t’i sigurojmë mjetet për ta finalizuar projektin. Objekti i ri i Gjimnazit Sami Frashëri, ku mësimin do të ndjekin edhe nxënësit e paraleleve shqipe të Nace Bugjonit, do të garantojë të gjitha kushtet për zhvillimin normal të procesit edukativo arsimor”, u shpreh Sulejmani.
Megjithëse punimet për objektin e ri kanë nisur në maj të vitit 2023, më shumë se tre vjet pas nisjes së tyre, objekti ende nuk ka përfunduar dhe nxënësit vazhdojnë ta ndjekin mësimin në objektin aktual.
Ndryshe, ndërtimi i objektit të gjimnazit “Sami Frashëri”, sipas njoftimit të MASH-it, do të kushtojë mbi 300 milionë denarë, ndërsa ndërtesa do të ketë katër nivele dhe do të mbulojë një sipërfaqe prej 7.400 metrash katrorë.
Premtime dhe zvarritje të projektit ndër vite
Në vitin 2019, nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” kërkuan zgjidhje pasi ndiqnin mësimin në objekte të papërshtatshme. Atë kohë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Portalb.mk thanë se janë duke u kryer procedurat administrative të projektit.
Në vitin 2021 kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në lidhje me projektin e ndërtimit të objektit të ri të shkollës fajin ia hodhi MASH-it, ai tha se që nga viti 2018 kanë dërguar kërkesë deri te Ministria e Arsimit dhe Shkencës, dhe ua kanë treguar hallin. Po ashtu në vitin 2020, e kishin dërguar sërish të njëjtën kërkesë, por pa marrë përgjigje.
Në vitin 2022, Qeveria e RMV-së solli vendim për shkollën e mesme të gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë që të ketë objekt të ri shkollor.
Më 27 maj të vitit 2023, filluan punimet për ndërtimin e ri të objektit të gjimnazit, të cilat ende nuk kanë mbaruar.



