Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka shpenzuar rreth 828 mijë euro për reklamim në media gjatë zgjedhjeve të fundit lokale. Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve ka përfunduar te televizionet, ndërsa për 33 portale të internetit dhe gazeta janë shpenzuar afërsisht 250 mijë euro. Meqë shuma maksimale që një parti politike mund t’i ndajë një portali është 15 mijë euro, në disa raste është vërejtur se i njëjti pronar ka hapur dy faqe interneti për të përfituar më shumë mjete. Para kanë marrë edhe media të aktivistëve partiakë dhe disa pas të cilave nuk dihet kush qëndron, shkruan Portalb.mk.
Të dhënat janë marrë nga KShZ në janar të këtij viti, ndërsa shumat për media në infografika përfshijnë TVSH dhe janë llogaritur në euro sipas kursit 6.5. Kujtojmë që bëhet fjalë për para publike, përkatësisht të taksapaguesve.
Pjesa e parë e këtij hulumtimi tregoi që koalicioni AKI është i treti në shtet me më së shumti mjete financiare të harxhuara për këtë qëllim, menjëherë pas VMRO-së dhe LSDM-së.
Shpenzimet më të mëdha të AKI-së janë përqendruar në televizionet e vendit, për të cilat nuk ekziston një kufi ligjor se sa pare mund të ndahen.
Kjo është lista e top 10 televizioneve me përfitimet më të larta nga AKI.

Për dallim prej televizioneve, ku shuma e parave që ndahet është e lartë dhe pa kufi ligjor, te portalet e internetit shpërndarja e fondeve bëhet në shuma më të vogla, por në një numër më të madh të mediave.
Në vijim janë paraqitur 15 portalet përfituese me shumat më të larta nga AKI.

Dy kompanitë që kanë përfituar më shumë para nga AKI janë “TS Group”, afërsisht 39 mijë euro me portalet ts.mk dhe tetovasot.com dhe “Koha Production” me portalin koha.mk dhe gazetën KOHA, gjithashtu afërsisht 39 mijë euro.
Përpos kësaj, maksimumin e parave për një portal, afërsisht 18 mijë euro me TVSH, nga AKI-ja e ka marrë edhe Portali X, me pronar gazetarin Furkan Saliu.
Sa më afër partisë, aq më të mëdha përfitimet
Si udhëheqës i dy portaleve që kanë përfituar maksimumin e mjeteve financiare nga AKI-ja, www.ts.mk dhe www.tetova.sot publikisht njihet Rami Mislimi, i cili në disa raste edhe publikisht ka shprehur afërsinë e tij me Bashkimin Demokratik për Integrim. Ndërkohë, gjatë fushatës zgjedhore nga ky medium shpesh herë janë evidentuar shkrime të njëanshme.

Kjo nuk është hera e parë që ky medium favorizohet nga BDI-ja, një situatë e ngjashme ishte evidentuar edhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2022, rast për të cilin kishte raportuar Prizma.
Një mijë euro nga AKI-ja ka marrë edhe portali albazone.mk, i cili është në pronësi të vëllaut të Rami Mislimit, Tefik Mislimi.
13 mijë euro për median e Ylber Jahiut, gazetar në Ts.mk, pronar i top24.mk dhe punonjës në komunën e Tetovës
Në listën e 20 përfituesve më të mëdhenj nga radhët e portaleve, me gjithsej 13 mijë euro të inkasuara nga AKI, figuron edhe portali top24.mk. Ky portal është në pronësi të Ylber Jahiu, emri i të cilit figuron në impresumin e portalit tetovasot.com në cilësinë e gazetarit.
Jahiu prej kohësh është i punësuar në Komunën e Tetovës. Gjatë periudhës kur në krye të komunës ishte Teuta Arifi, ai paraqitej si përfaqësues i Sektorit për Resurse Njerëzore.
Ndërkaq, me ardhjen e Bilall Kasamit, siç ka bërë të ditur vetë Jahiu publikisht, ai është sistemuar në një pozitë tjetër.
Jahiu gjithashtu njihet në opinion për qëndrimet e tij kundër Koalicionit VLEN, sidomos kreut të komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Edhe kompania “Flaka info” me kryeredaktor Driton Zenku ka ndjekur të njëjtën logjikë të operimit me dy faqe. Përmes portaleve flaka.com.mk dhe gostivarisot.mk, kompania ka përfituar nga AKI gjithsej 23.500 euro.
Mjete për reklamim politik nga AKI janë ndarë edhe për “media” që ekzistojnë vetëm si faqe në Facebook. Për shembull, 5 mijë euro ka përfituar gramafoni.com, një ueb-faqe që nuk rezulton të ekzistojë ndërsa nuk dihet kush qëndron pas saj.

Edhe aktivistë të AKI-së rezultojnë përfitues të mjeteve për reklamim politik.
Njëri prej tyre është Erblin Demiri, i cili ka qenë ndër të rinjtë më aktiv në fushatën e Bujar Osmanit për kryetar të komunës së Çairit. Ai edhe publikisht shfaq afërsinë e tij me BDI-në. Në regjistrin e MARNET figuron si pronar i domenit ontarget.mk, përfitues i rreth 8.100 eurove.

Përndryshe, mbi 10 portale që kanë përfituar mjete nga AKI nuk kanë impresum, çka e bën të paqartë se kush qëndron pas tyre. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre faqeve nuk përmbush standardet bazë profesionale.
Lëmshi duket i qëllimshëm, por, a ka kush vendos rend?
Me pak fjalë, për portalet online nuk ka. Në Maqedoninë e Veriut ekziston Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audivizuele që është kompetente për të monitoruar reklamimin politik me pagesë, por vetëm të radiove dhe televizioneve.
Që kur shpallen zgjedhjet, deri në përfundimin e tyre kjo agjenci monitoron sjelljen e telezivioneve dhe radiove. Ata kryesisht ndjekin nëse transmetuesit i përmbahen limiteve për kohën shtesë të lejuar për reklamim politik të paguar, nëse transmetuesi kujdeset që dy herë radhazi të mos transmetojë reklamë për të njëjtën parti politike dhe ngjashëm.
Për shembull, gjatë zgjedhjeve lokale të 2025, ata kishin konstatuar që një televizion lokal kishte tejkaluar limitin e lejuar për reklamim politik me pagesë dhe kanë iniciuar procedurë kundërvajtëse në gjykatën kompetente.
Kështu, me pak fjalë, përpos që nuk ka asnjë kriter se cilat media të internetit mund të financohen nga paratë e shtetit përmes partive politike, ata s’ka as kush i kontrollon, as kush i ndëshkon për shkelje të rregullave, sepse në fakt, nuk ka fare rregulla.
Partitë politike të paguajnë vetë reklamimin në media, ose të ndalohet fare
Zërijeta Hajro Jahjaga e cila aktualisht është zëvendës kryetare e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audivizuele për Portalb.mk thotë se jo vetëm portalet, ajo thotë se asnjë reklamë politike nuk duhet të financohet me paratë e shtetit pa kritere qartë të përcaktuara.

“Agjencia ka vërejtje serioze ndaj dispozitave të Kodit Zgjedhor (KZ) në pjesën që ka të bëjë me paraqitjen mediatike në përgjithësi dhe veçanërisht me dispozitat për RPP, pasi konsiderojmë se ky lloj reklamimi nuk duhet të financohet nga Buxheti, përkatësisht me paratë e qytetarëve. Në disa raste deri më tani, publikisht kemi theksuar se vetë Kodi Zgjedhor është burim rreziqesh zgjedhore për shkak të disa zgjidhjeve, paqartësive dhe mospërputhjeve të dispozitave”, tha Zërijeta Hajro Jahjaga.
Sipas saj, rregullat që vlejnë për internet portalet në Kodin Zgjedhor nuk janë të mjaftueshme.
“Agjencia vlerëson se është e nevojshme që në Kod të përcaktohen rregulla edhe për internet portalet që përfitojnë mjete buxhetore për reklamim politik me pagesë, konkretisht: të kenë impresum, domen .mk, strukturë pronësie transparente, si dhe të kenë funksionuar për më shumë se një vit. Praktika tregon se menjëherë para zgjedhjeve shfaqen ose aktivizohen media online të reja që funksionojnë qëllimisht vetëm gjatë periudhës zgjedhore; disa prej tyre nuk janë të regjistruara në vendin tonë dhe nuk ekziston mënyrë që të mbajnë përgjegjësi për përmbajtjen që publikojnë”, tha Hajro Jahjaga.
Ajo shtoi se nëse veçse e drejta për mjete buxhetore u takon portaleve, duhet të vendoset një rregull që do t’i lejonte të marrin para vetëm internet portalet që janë të regjistruara në Regjistrin e Agjencisë, në të cilin lejohet regjistrimi vetëm i portalet që i plotësojnë disa kritere bazë. Sipas saj, transparenca duhet të jetë kyçe pasi bëhet fjalë për para publike, shtoi që palët duhet të ulen dhe të bisedojnë për një mekanizëm mbikëqyrës.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka vite që kërkon ndryshime ligjore
Jo vetëm publikisht, por edhe në takime me Ministrinë e Drejtësisë, ku diskutohen ndryshimet ligjore, përfaqësues të ShGM-së kanë kërkuar që t’i jepet fund praktikës së financimit të fushatave zgjedhore me para publike.
Në fakt, jo vetëm ShGM-ja, këtë ndërvite e kërkojnë edhe organizatat ndërkombëtare që monitorojnë proceset zgjedhore si ODIHR dhe rregullatori mediatik me të cilët biseduam paraprakisht, ASHMAA.
Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë theksoi se mekanizmi aktual i programit të paguar politik lë shumë hapësirë për keqpërdorime potenciale.

“Lë hapësirë për ndikim të drejtpërdrejtë mbi politikën redaktuese të një pjese të mediave, veçanërisht shqetësuese është gjendja te mediat online. Sipas raporteve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në praktikë shfaqen faqe interneti pa impresum, faqe të krijuara menjëherë para zgjedhjeve, si dhe raste kur të njëjtët pronarë hapin disa platforma për të fshehur transaksionet dhe për të përfituar mjete publike. Kjo e ul transparencën dhe krijon rrezik serioz për keqpërdorim të fondeve publike”, tha për Portalb.mk Sekullovski.
Meqë vullnet për heqjen e kësaj praktike nuk ka, Sekulovski thotë se ShGM ka propozuar mekanizma rregullues, me synimin për të kufizuar hapësirën për keqpërdorime.
Me ndryshimet e fundit në Ligjin për Media, është vendosur i ashtuquajturi regjistër vullnetar i mediave online, pjesë e të cilit mund të bëhen vetëm ato internet portale të cilat i plotësojnë disa kushte të caktuara.
Ai thotë se duhet të shtohet në Kodin Zgjedhor që para nga shteti të mund të marrin vetëm ato internet portale që janë pjesë e këtij regjistri.
“Që kjo të bëhet, janë të domosdoshme edhe ndryshime në Kodin Zgjedhor të cilat do të parashihnin që në fushatën parazgjedhore të mund të marrin pjesë vetëm mediat online që janë pjesë e këtij regjistri. Në këtë mënyrë, nëse koncepti i shpenzimit të mjeteve publike për promovim partiak vazhdon të ekzistojë, të paktën do të përmirësohet transparenca: portalet që nuk plotësojnë standardet minimale mediatike, siç është detyrimi për impresum, thjesht nuk do të përfshihen në sistemin e programit të paguar politik”, shtoi Sekulovski.
Nora Kaliqi është eksperte e medias, kryetare e Këshillit për Etikë në Media. Ajo për Portalb.mk thotë se deri te ata vazhdimisht arrijnë ankesa për përmbajtje joprofesionale të publikuara në portalet e internetit.

“Në bazë edhe të statistikës së fundit nga ankesat e drejtuara në Komisionin për Ankesa për vitin 2025, vërehet se pjesa më e madhe e shkeljeve lidhet pikërisht me hapësirën online, ku dominon përmbajtja joorigjinale dhe mungesa e përgjegjësisë editoriale. Pa lidhjen e qartë mes transparencës dhe financimit publik, rrezikojmë që sistemi të vazhdojë të shpërblejë përmbajtje joprofesionale në dëm të informimit të qytetarëve”, tha Kaliqi.
Një pjesë e madhe e këtyre internet portaleve që marrin shuma të mëdha parash për reklamim të paguar politik nuk plotësojnë standardet minimale profesionale.
“Monitorimi ynë e konfirmon këtë realitet, një pjesë e mediave që prodhojnë përmbajtje problematike operojnë jashtë çdo mekanizmi identifikimi dhe llogaridhënieje. Mungesa e transparencës, burimet e paqarta dhe përmbajtja e ricikluar krijojnë një ambient ku standardet profesionale relativizohen dhe ku konkurrenca bëhet e pabarabartë”, tha Kaliqi.
Ajo ritheksoi nevojën që në Kodin Zgjedhor të përfshihet kushti që mediat përfituese të fondeve publike të jenë pjesë e një regjistri zyrtar. Aktualisht, vetëm 29 portale janë të regjistruara në regjistrin e ASHAM ndërsa rreth 250 portale kishin aplikuar për të marrë mjete për reklamim politik.
Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2024, në raportin e tij, theksoi se “nuk ka rregulla specifike për portalet online”, dhe shumë portale u krijuan pak para zgjedhjeve pikërisht për të marrë para shtetërore. ODIHR-i rekomandoi që nëse ky model vazhdon të zbatohet, “duhet të vendosen urgjentisht kritere të qarta dhe objektive për pranueshmërinë e portaleve online për rifinancim shtetëror të reklamave politike të paguara”.
Analizat e detajuara mbi mënyrën se si janë shpërndarë këto mjete nga secili prej katër koalicioneve më të mëdha dhe kush janë përfituesit kryesorë vijojnë në pjesët pasuese të këtij hulumtimi.





