Mbi 40 të vrarë nga konflikti mes Izraelit dhe militantëve palestinezë

Të paktën 35 të vrarë në Gaza dhe pesë në Izrael është bilanci i përleshjeve të armatosura mes Izraelit dhe Hamasit.

Këto janë luftimet më të ashpra që kanë ndodhur në vitet e fundit.

Të mërkurën në mëngjes, Izraeli kreu qindra sulme ajrore në Gaza, ndërsa grupi islamist Hamas dhe militantët tjerë palestinezë, qëlluan me breshëri raketash në drejtim të Tel Avivit dhe qyteteve tjera.

Izraeli tha se avionët e tij kishin shënjestruar dhe vrarë disa udhëheqës të inteligjencës së Hamasit. Ushtria tha se sulmet tjera shënjestruan lokacionet prej nga janë lëshuar raketat e militantëve, raporton Reuters.

Militantët palestinezë në Gaza kanë shkrepur më shumë se 1,000 raketa në drejtim të Izraelit që nga e hëna në mbrëmje, kur luftimet u përshkallëzuan në mënyrë dramatike pas disa ditëve të trazirave në Jerusalem, tha ushtria izraelite.

Zëdhënësi i ushtrisë, Jonathan Conricus, u tha gazetarëve të mërkurën në mëngjes se si kundërpërgjigje Izraeli po godiste vetëm objektivat ushtarake dhe se ushtria kujdeset për të minimizuar ndikimin mbi civilët.

Të martën, sulmet izraelite shkatërruan një ndërtesë 12-katëshe në qytetin e Gazës.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për paqen në Lindjen e Mesme, Tor Wennesland, bëri thirrje për ndaljen e dhunës.

“Ndaloni menjëherë. Situata po përshkallëzohet drejt një lufte të shkallës së plotë. Udhëheqësit nga të gjitha palët duhet të marrin përgjegjësinë e përshkallëzimit”, shkroi ai Twitter.

Izraeli ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në qytetin qendror të Lodit, pasi protestuesit arabë hodhën gurë ndaj policisë e cila u përgjigj me gazlotsjellës.

Protestat pasuan varrimin e një arabi izraelit i cili vdiq gjatë trazirave në qytet një ditë më parë.

Të paktën 12 persona u plagosën në përleshje, njoftoi gazeta izraelite Haaretz. Gjatë natës, situata u përkeqësua.

Në Lod, një raketë e shkrepur nga Rripi i Gazës goditi një makinë, duke vrarë dy persona, përfshirë një fëmijë, tha policia izraelite.

Mediat izraelite raportuan se disa sinagogave dhe bizneseve u ishtë vënë zjarri.

Të martën në mbrëmje, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Lod.

Times of Israel tha se kjo ishte hera e parë që qeveria kishte përdorur kompetenca emergjente mbi një komunitet arab që nga viti 1966.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, tha se sulmet izraelite ishin “vetëm fillimi”.

“Organizatat e terrorizmit janë goditur rëndë dhe do të vazhdojnë të goditen për shkak të vendimit të tyre për të sulmuar Izraelin”, tha ai.

Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh, tha se grupi ishte “gati” nëse Izraeli vendos që të përshkallëzohet situata.

“Nëse Izraeli dëshiron përshkallëzimin, ne jemi gati për të dhe nëse dëshiron të ndalet, ne jemi gjithashtu të gatshëm,” tha ai në një fjalim televiziv.

Tash e sa javë, protestuesit palestinezë dhe policia izraelite janë duke u përleshur në baza ditore në dhe përreth Qytetit të Vjetër të Jerusalemit.

Atje ndodhen vendet kryesore fetare – të shenjta për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët.

Jerusalemi ka qenë në fakt skenë e konfrontimeve të dhunshme midis hebrenjve dhe arabëve tash e 100 vjet dhe mbetet një nga qytetet më të kontestueshme në botë.

Përleshjet e fundit filluan një muaj më parë, kur Izraeli bllokoi disa tubime të palestinezëve, në fillim të Muajit të shenjtë të Ramazanit.

Pasi ato kufizime u zbutën, plani për të dëbuar dhjetëra palestinezë nga një lagje e Jerusalemit Lindor vazhdoi të nxiste konfrontime./REL