Mbi 40 shtete kërkuan rihapjen e menjëhershme dhe pa kushte të ngushticës së Hormuzit

Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë të shtunën mbi një projektrezolutë të propozuar nga Bahreini për sigurinë në Ngushticën e Hormuzit. Dokumenti dënon veprimet e Iranit si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe paralajmëron pasoja për tregtinë globale dhe sigurinë energjetike. Nëse miratohet, rezoluta do t’u lejojë shteteve të përdorin masa mbrojtëse për të garantuar kalimin e lirë në ngushticë, edhe përmes bashkëpunimeve shumëkombëshe detare.

Pavarësisht pretendimeve nga SHBA-ja dhe Izraeli se kapacitetet ushtarake të Iranit janë pothuajse shkatërruar, Teherani ka vazhduar presionin ndaj Izraelit dhe vendeve arabe të Gjirit, duke goditur sot rafinerinë e naftës Mina al-Ahmadi në Kuvajt me një sulm me dronë.

Autoritetet në Kuvajt gjithashtu bënë të ditur se një sulm iranian ka dëmtuar një impiant desalinizimi. Këto impiante sigurojnë pjesën më të madhe të ujit për vendet arabe të Gjirit dhe një pjesë të konsiderueshme edhe për Iranin.

Gjithashtu, Irani ka goditur edhe qytetin e Haifës në veri të Izraelit, ku deri tani raportohen të paktën gjashtë të plagosur. Sipas autoriteteve izraelite, vala e fundit e sulmeve ka shënjestruar këtë zonë dhe rrethinat e saj. Haifa konsiderohet një pikë strategjike kyçe, pasi është një nga qytetet më të mëdha të vendit dhe strehon rafinerinë kryesore të naftës, e cila përpunon rreth 70% të kapacitetit të përgjithshëm të Izraelit.

Presidenti amerikan Donald Trump, ka deklaruar se ushtria amerikane “ende nuk ka filluar” të shkatërrojë atë që ka mbetur nga Irani pas një muaji bombardimesh intensive, duke paralajmëruar për sulme të mundshme ndaj urave dhe centraleve elektrike.

Në një postim në Truth Social, ai theksoi se ushtria e SHBA-së është më e fuqishmja në botë dhe i bëri thirrje udhëheqjes në Teheran të veprojë shpejt. Këto deklarata vijnë disa orë pasi Iran kreu sulme të reja me raketa dhe dronë ndaj Izrael dhe vendeve të Gjirit, në një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në rajon./Alsat.mk.