Muhamer Pajatiti /INA
Në vitin 2004 kisha shkruar një artikull në gazetën KOHA Ditore (edicioni Maqedoni) mbi emërtimin e rrugëve në Kumanovë. Hulumtimi i atëhershëm tregonte se nga 252 rrugë, vetëm dy apo tri mbanin emra në gjuhën shqipe – njëra prej tyre “Bajram Shabani”.
Kanë kaluar 18 vite. Janë shtuar rrugë të reja, janë ndërruar pushtete dhe parti politike, por ky realitet ka mbetur pothuajse i pandryshuar. Në një qytet ku shqiptarët përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të popullsisë dhe kanë dhënë kontribut të rëndësishëm historik, kulturor e ekonomik, mungesa e emrave të personaliteteve shqiptare në hapësirën publike mbetet shqetësuese.
Lagjet vazhdojnë të mbajnë emra të periudhës komuniste si “Proleterske Brigade”, “Boris Kidriç”, “Vasa Pellagiq”, “JNA”, “Pitu Guli” e të tjerë – emra që për shumë qytetarë shqiptarë përfaqësojnë një sistem që i ka margjinalizuar dhe diskriminuar.
Lajmi për vendosjen e 100 emrave të personaliteteve shqiptare në rrugët e Shkupit ngjalli shpresë se një proces i ngjashëm mund të ndodhë edhe në Kumanovë.
Rishikimi i emërtimeve nuk është çështje hakmarrjeje historike, por barazie simbolike dhe përfaqësimi dinjitoz në hapësirën publike. (INA)





