Mijëra myslimanë në Indi janë vënë nën hetim dhe dhjetëra të tjerë janë arrestuar vetëm për një shprehje: “E dua Muhamedin”, në referencë të Profetit Muhamed.
Sipas organizatës për mbrojtjen e të drejtave civile, Association for Protection of Civil Rights (APCR), deri tani janë ngritur më shumë se 22 çështje penale kundër rreth 2,500 personave, shumica e të cilëve në shtete të qeverisura nga partia nacionaliste hindu, Bharatiya Janata Party (BJP), që udhëhiqet nga Kryeministri Narendra Modi.
Ngjarjet nisën më 4 shtator në qytetin Kanpur, gjatë festimeve për lindjen e Profetit Muhamed kur u vendos një tabelë e ndriçuar me shkrimin “E dua Muhamedin”.
Tabela u kritikua nga disa banorë hindu, të cilët pretenduan se ishte një shtesë e re në ritualet fetare publike, gjë që ndalohet nga ligji në shtetin e Uttar Pradesh. Si pasojë, policia ngriti akuza për “nxitje të urrejtjes fetare” kundër disa pjesëmarrësve.
Pas kësaj, protestat u përhapën në shtete të tjera si Telangana, Guxharat, Maharashtra, Uttarakhand dhe Jammu & Kashmir. Në të gjithë vendin u shpërndanë postera dhe bluza me mbishkrimin “E dua Muhamedin”, madje edhe në rrjetet sociale.
Sipas Kushtetutës së Indisë, çdo qytetar ka të drejtë të shprehë dhe praktikojë lirisht fenë e tij, si dhe të ketë liri fjale. Por në këto raste, autoritetet kanë përdorur ligje që ndalojnë “grumbullimet e paligjshme” ose “provokimin e tensioneve fetare”, edhe për raste kur personat kanë postuar vetëm në internet ose kanë veshur bluza me këtë slogan.
Shumë kritikë thonë se kjo nuk është hera e parë që myslimanët në Indi përballen me trajtim të padrejtë. Që kur Modi erdhi në pushtet në vitin 2014, janë rritur ndjeshëm rastet e urrejtjes fetare, veçanërisht në shtetet e qeverisura nga BJP.