Mbi 10 milionë turistë vizitojnë Shqipërinë për 2023

Kryeministri Rama: Një arritje fantastike, e paimagjinueshme deri pak vite më parë

Mbi 10 milionë turistë vizituan Shqipërinë deri më 25 Dhjetor. Lajmin e tejkalimit të kësaj shifre, e dha kryeministri Edi Rama, i cili në një status në rrjetet sociale e cilëson arritje fantastike.

“Bashkë me Krishtlindjen kaloi edhe numri i 10 milionë turistëve të huaj në Shqipëri; një arritje fantastike e paimagjinueshme deri pak vite më parë GËZUAR”, shkruan Rama.

Flukset e shtuara të javës së fundit, të kthimit edhe të emigrantëve për të festuar festat e fundvitit ka sjell edhe këtë rritje të shifrve të vizitorëve të huaj për muajin Dhjetor, duke shënuar shifrën historike të mbi 10 milionë e 11 mijë turistëve deri më 25 Dhjetor.

Viti 2023 shënon kthesën e madhe të turizmit në Shqipëri, duke u mbyllur me rreth 33.5% më shumë turistë të huaj se sa viti 2022 që regjistrojë në total për 12 muaj 7.5 milionë vizitorë.

Të dhënat tregojnë se interesi i të huajve për të vizituar Shqipërinë mbetet përgjatë 12 muajve të vitit, edhe pse fluksi më i madh i hyrjeve të turistëve të huaj mbetet periudha e verës.

Gjatë këtij vitit interesi i madh për të vizituar Shqipërinë mbetet nga turistët italianë, të cilët deri në muajin Tetor kanë arritur shifrën e mbi 800 mijë vizitorëve, duke zënë rreth 10% të totalit të turistëve të huaj që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë, dhe duke u renditur pas qytetarëve të Kosovës të cilët përbëjnë shumicën e vizitorëve me mbi 37%.

Në përqindje rritjen më të madhe të turistëve e kanë pushuesit nga Polonia, Gjermania, Anglia dhe Kina.

Në lidhje me raportin e mënyrës së transportit të zgjedhur nga vizitorët e huaj për të hyrë në Shqipëri, 71% zgjodhën rrugën tokësore, 25% hynë nëpërmjetë rrugëve ajërore, ndërsa 4% hynë nëpërmjetë transportit detar.