Mbeturinat në Shkup, Prokuroria kërkon paraburgim për Rustemin dhe Saitin

Nga Prokuroria Themelore njoftojnë se kanë dorëzuar kërkesë deri në gjykatë që t’i caktohet masa e paraburgimit u.d. drejtor i Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” Shkup, Sabahudin Rustemi dhe Aki Saitit, udhëheqës për menaxhim të mbeturinave pranë të njëjtës ndërmarrje. Nga Prokuroria thonë se të njëjtit dyshohen për veprën penale “Rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturinat”, që dënohet sipas Nenit 230, paragrafi 1 i Kodit Penal.

“Të dyshuarit, njëri në cilësinë e drejtorit të përkohshëm dhe tjetri si menaxher për mbeturinat në NP Higjiena Komunale Shkup vepruan në kundërshtim me Ligjin për menaxhimin e mbeturinave dhe detyrat e tyre për mbledhjen dhe transportimin e rregullt të mbeturinave jo të dëmshme në territorin e Qytetit të Shkupit, si dhe me detyrimet e parashikuara në Programin Operativ për mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave komunale dhe Planin Operativ për mirëmbajtjen e pastërtisë publike. Për shkak të mungesës së mbikëqyrjes së plotë mbi mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave, si dhe për shkak të menaxhimit jo të rregullt të tyre, gjatë këtij muaji u krijuan deponi të vogla në hapësira publike dhe rrugore, pranë kontejnerëve të parashikuara për mbledhjen e mbeturinave, duke shkaktuar dëmtime të konsiderueshme të cilësisë së tokës, ajrit dhe ujit dhe duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e njerëzve për shkak të mundësisë së përhapjes së sëmundjeve infektive ose të tjera. Këto dyshime u konfirmuan përmes inspektimeve të jashtëzakonshme nga inspektorët lokalë të mjedisit, të udhëhequr nga Prokuroria, si dhe përmes vlerësimeve ekspertësh mbi ndikimin e mbeturinave në shëndetin publik dhe rrezikun e përhapjes së sëmundjeve infektive, të përgatitura nga Instituti i Shëndetit Publik të RMV-së”, thonë mes tjerash nga Prokuroria.