Mbeturinat në Shkup, aktakuzë ndaj ish-drejtorit dhe ish-menaxherit në NP “Higjiena Komunale”

Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, Sabahudin Rustemi, dhe përgjegjësit për menaxhim me mbeturina Aki Saiti, të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale “Rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina”, përcjell TV21. Prokuroria gjithashtu kërkon që të dyshuarve, masa e paraburgimit t’u zëvendësohet me masa kujdesi. Ndërsa për Saitin, i cili është ende i punësuar në NP “Higjiena Komunale”, Prokuroria kërkoi që të largohet përkohësisht nga vendi i punës.

Sipas Prokurorisë, hetimi ka treguar tregoi se gjatë muajit tetor të këtij viti, të dy të akuzuarit, duke mos ushtruar mbikëqyrje mbi mbledhjen, transportin dhe menaxhimin e papërshtatshëm të mbeturinave, kanë shkaktuar rrezik për dëme të konsiderueshme në cilësinë e tokës, ajrit ose ujit, rrezik për jetën ose shëndetin e njerëzve, ose shkatërrim të florës ose faunës në shkallë më të gjerë.