Mbetje të rrezikshme nga Italia, bllokohet trageti në Vlorë

Prokuroria e Vlorës në Shqipëri bllokoi tragetin në të cilin një ditë më parë u gjendën mbetje kimike të rrezikshme në portin e qytetit.

Trageti i linjës Brindisi-Vlorë transportonte lëndë të dyshuar si amiant, por hetimet do të përcaktojnë natyrën e kimikateve që u gjendën në bord.

Policia shqiptare ka arrestuar 6 persona. Policia dyshon se ky është një rrjet i trafikut të mbetjeve toksike dhe lëndës kancerogjene amiant, të cilat nga Italia do të groposeshin në qytetin e Vlorës. Skema u zbulua me bllokimin në portin e Vlorës brenda një trageti të ardhur nga Brindisi i Italisë, ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe për mjedisin, të ndaluara me ligj në Shqipëri, mes të cilave edhe amianti, fibra natyrale, ndër shkaktarët kryesore të sëmundjeve kancerogjene.

Burime nga policia, thonë se kjo nuk ka qënë rruga e parë me mbetje të tilla. Lëndët e rrezikshme silleshin në Shqipëri përmes një firme pastrimi, “Delfini 1”, e cila rregullonte të gjitha dokumentacionet, duke i kamufluar mbetjet toksike sikur të ishin produkte kimike pastrimi. Për këtë arsye në pranga ka rënë Elisabeta Cuni, 55 vjeç,banuese në Vlorë, administratore e kësaj firme. Më tej, përmes një biznesi të autorizuar për t’u futur në port, nxirreshin mbetjet e rrezikshme dhe groposeshin në një pikë grumbullimi të mbetjeve të portit me bazë në Vlorë.