Mbështetje ushtarake nga Gjermania, FSK pranon kamionët ushtarakë

Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar sot kamionët ushtarakë, donacion nga Gjermania në vlerë 2.7 milionë euro.Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se sot është ditë e veçantë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, pasi kanë pranuar donacionin e kamionëve ushtarakë nga shteti gjerman në vlerë 2.7 milionë euro, e që do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve logjistike e operacionale.

Ai tha se në rrugën e rritjes dhe të zhvillimit të ushtrisë rol të jashtëzakonshëm ka luajtur partneri strategjik, Republika e Gjermanisë dhe për këtë tha se i janë mirënjohës.Sipas tij, donacioni i kamionëve ushtarakë në vlerë prej 2.7 milionë euro është vazhdimësi e donacionit prej 3 milionë e 500 mijë euro që kanë pranuar vitin e kaluar nga Gjermania, raporton Telegrafi.

Ministri Maqedonci ka falënderuar shtetin gjerman dhe ambasadorin Jorn Rohde për bashkëpunimin e shkëlqyer.“Bashkëpunimi i shkëlqyer do të vazhdojë edhe më tutje me synimin e avancimit të kapaciteteve tona mbrojtëse në nivelin e standardeve të NATO-s me qëllim për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë”, tha ai.