Mbështetje për zgjidhjen e konfliktit mes Kamboxhias e Tajlandës përmes rrugës paqësore

Të premten pasdite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Shangai me kryeministrin kamboxhian Hun Manet, që ndodhet për të marrë pjesë në Konferencën Botërore të Inteligjencës Artificiale 2026 dhe Takimin e Nivelit të Lartë për Qeverisjen Globale të AI-së, si edhe për një vizitë pune në Kinë.

Gjatë takimit, Xi Jinping-u vuri në dukje se të dy palët duhet të përshpejtojnë ndërtimin e Korridorit të Zhvillimit Industrial dhe të Korridorit të Peshkut e Orizit, të përmirësojnë bashkëpunimin në sektorët tradicionalë të energjisë elektrike, të bujqësisë etj., dhe të kultivojnë sektorët e rinj të AI-së dhe ekonomisë digjitale. Pala kineze është e gatshme të nxitë zbatimin e katër nismave të mëdha globale së bashku me palën kamboxhiane, për të ndërtuar një sistem më të drejtë e më të arsyeshëm të qeverisjes globale. Kina mbështet zgjidhjen e konfliktit mes Kamboxhias dhe Tajlandës nëpërmjet dialogut e konsultimeve dhe do të luajë një rol aktiv në këtë drejtim.

Nga ana e tij, kryeministri Hun Manet e uroi së pari Kinën për organizimin me sukses të Konferencës Botërore të Inteligjencës Artificiale 2026 dhe e falënderoi palën kineze për ndihmën bujare që i ka dhënë vendit të tij për zhvillimin ekonomik e shoqëror kombëtar. Pala kamboxhiane e falënderon palën kineze për nxitjen e zgjidhjes së konfliktit kufitar mes Kamboxhias e Tajlandës në mënyrë paqësore, tha Manet, duke theksuar që Kamboxhia do t’u përmbahet dialogut e konsultimeve për të zbutur situatën.