Materiale të përgjuara që aludojnë në skandalet e Fatmir Deharit në Komunën e Kërçovës: Përmbajtje seksuale dhe korruptive

Në rrjetet sociale qarkullojnë përgjime në Komunën e Kërçovës ku dëgjohet një zë i cili thuhet të jetë i kryetari Fatmir Dehari, me përmbajtje eksplicite, seksuale, korruptive, ofendime, sharje dhe të tjera. Edhe pse i kontaktuar nga Portalb.mk, Fatmir Dehari nuk u deklarua për përgjimet, kurse Portalb në mënyrë të pavarur nuk ka mundur t’i verifikojë përmbajtjet.

Këto përgjime janë publikuar ditëve të fundit në profilin në Facebook, El Cheka (Sheqerim Ahmedi), i cili ka publikuar edhe në të kaluarën përgjime të funksionarëve të BDI-së. 

“Ai përgjuesi që është gjetur në komunë më ka kushtuar 20-mijë dollarë për ta futur për të incizuar Don Zhuanin si sillet me punëtoret”, ka shkruar mes tjerash në një postim në Facebook, El Cheka. 

Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari nuk u përgjigj në thirrjen e Portalb.mk dhe as në sms porosinë se a do të merr përgjegjësi për këto veprime, cili është qëndrimi i tij, a do jep dorëheqje nga funksioni dhe kandidatura për kryetar të Kërçovës. 

Nga Prokuroria Themeloe Publike konfirmuan për Portalb.mk se “në Prokurorinë Themelore në Kërçovë nuk është dorëzuar asnjë paraqitje apo informacion lidhur me ngjarjen”.

Ministria e Brendshme tha se”deri në këtë moment nuk ka paraqitje në SPB Ohër ngjarje të tillë”

Heshtin edhe nga BDI, nuk tregojnë nëse do marrin ndonjë masë kundër Deaharit, nëse do kërkojnë përjashtimin e tij, apo tërheqjen e kandidaturës.

Ndryshe, Fatmir Dehari kandidon për mandatin e katërt si i pari i Kërçovës në zgjedhjet lokale të 19 tetorit./Portalb.mk