Mass në takim me Osmanin: BE të fillojë negociatat me Shkupin dhe Tiranën

Në takim u diskutuan tema që lidhen me integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut si dhe zhvillimet e fundit në rajon. Fokusi kryesor i takimit ishte realizimi i qëllimit strategjik të Maqedonisë së Veriut, anëtarësimi në BE, dhe në atë kontekst, pritjet dhe perspektivat për Samitin e ardhshëm BE-BP në Bërdo të Kranjës, Slloveni.

“Miqtë dhe partnerët i marrin parasysh perspektivat dhe interesat e njëri-tjetrit. Takimi ynë ishte një shkëmbim i thelluar i perspektivave për hapin e radhës së Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Është një privilegj të kesh Gjermaninë si një mik dhe mbështetës, i cili sinqerisht ndihmon në realizimin e këtyre qëllimeve strategjike si një investim i rëndësishëm gjeostrategjik”, tha Osmani.

Ministri Maas theksoi në takim:

“Është koha e duhur që Bashkimi Evropian të zbatojë vendimin konsensual të marrë në mars të vitit 2020 dhe të fillojë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Dua të shpreh mbështetjen time të plotë për Presidencën Sllovene me Këshillit të BE -së, e cila ka premtuar t’i japë fund ngërçit aktual. Samiti i Bërdos duhet të dërgojë një mesazh të qartë në lidhje me mundësinë e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. Politika e zgjerimit do të fitojë kredibilitet të madh me përparimin e shpejtë të dosjes së Maqedonisë së Veriut.

Dua të theksoj se ekziston një konsensus i fortë mes partive politike në Bundestagun gjerman në lidhje me mbështetjen tonë të vazhdueshme për rrugën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Angazhimi ynë do të vazhdojë gjatë dhe përtej fazës aktuale të tranzicionit, edhe pas formimit të Qeverisë së re.”

Në takim, bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, situatën në lidhje me pandeminë Covid-19, çështjet aktuale të politikës së jashtme, si dhe bashkëpunimin në një numër organizatash multilaterale.