“Maskat” në Leposaviq, sulmojnë punëtorin shqiptar

Persona të maskuar janë parë duke lëvizur në rrugët në veri të vendit gjatë javëve të fundit, pas tensionimit të situatës atje. Këto ditë është raportuar se disa nga ta kanë sulmuar edhe gazetarët e mediumeve kosovare që po qëndrojnë atje për të raportuar mbi zhvillimet e fundit. Keq e pësoi edhe punëtori i një kompanie që merret me tregtimin e artikujve të bujqësisë, kopshtarisë, ngrohjes dhe ftohjes.

Paraditen e djeshme, 46-vjeçari, F.I., derisa po udhëtonte për të shpërndarë mallin në komunat e pjesës veriore të Kosovës, me furgonin i cili është në pronësinë e kompanisë për të cilën shërben, dyshohet se është sulmuar nga disa persona të maskuar në Leposaviq.

Burimet e sinjali kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur derisa viktima po lëvizte në drejtim të Leposaviqit, ku ka hasur në katër persona të maskuar të cilët nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar që të kthehet mbrapsht prej nga kishte shkuar.

Pos kanosjes me armë, të dyshuarit i kanë dëmtuar edhe automjetin e punës, duke i shkaktuar kështu dëme materiale.

Për shkak të rrugëve të bllokuara nga barrikadat e vendosura nga serbët lokalë atje, ai ka përdorur rrugë alternative për të kryer punët e tij, e që më pas është kthyer në pjesën jugore të Mitrovicës.

Me të dalë në Mitrovicën e Jugut, ai ka denoncuar rastin te organet e hetuesisë, ku ka dhënë deklaratën e tij duke rrëfyer në detaje gjithë atë që i ngjau.

Njësitë policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rastit dhe që çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Kanosje’ dhe ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’.

Ndryshe janë bërë 14 ditë qëkur grupe të serbëve lokalë të veriut, në shenjë revolte për arrestimin e ish-policit serb që dyshohet për sulm ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor, Dejan Pantiq, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se kanë kapacitete për heqjen e barrikadave, por se janë duke i dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i zhbllokojë vetë rrugët.