Një grua 56-vjeçare nga Manastiri dhe një shtetas 38-vjeçar nga Estonia dyshohen se kanë mashtruar qindra qytetarë të Maqedonisë së Veriut, duke i joshur të investojnë para në një platformë të rreme interneti.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë periudhës dhjetor 2025 – prill 2026, të dyshuarit kanë përdorur një aplikacion celular me qindra abonentë, duke premtuar fitime të larta që nuk janë realizuar.
Policia ka pranuar pesë denoncime, por analizat e transaksioneve bankare tregojnë se numri i qytetarëve të dëmtuar mund të jetë shumë më i madh, pasi shumica nuk e kanë raportuar rastin.
Pas një hetimi disamujor, në bashkëpunim me institucione vendase dhe ndërkombëtare, janë identifikuar të dyshuarit dhe janë analizuar pajisjet elektronike e transaksionet me kriptovaluta.
Ndaj M.K. (56) nga Manastiri dhe A.S. (38) nga Estonia është ngritur kallëzim penal për mashtrim.
MPB u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e premtimeve për pasurim të shpejtë në internet, veçanërisht përmes platformave të dyshimta që ofrojnë fitime të garantuara nga kriptovalutat.





