Kuvendi bllokon masat kundër Covid-19

Miratimi i masave të reja ligjore për parandalimin e shpërndarjes së virusit korona do të marrë më shumë kohë se sa pritej. Në Kuvend, u vendos dhe më vonë u hoq pa asnjë sqarim nga rendi i ditës propozim/ndryshimi i Ligjit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse. Pika nuk u diskutua aspak në seancën plenare. Shumica parlamentare sqaroi për Alsat se VMRO-DPMNE-ja ka kërkuar kohë për shqyrtimin e ligjit sepse ka pasur dilema për disa dispozita. Nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së nuk u përgjigjën megjithatë më herët kishin njoftuar se do të dorëzojnë amendamente për vërejtjet që kanë, pasi të konsultonin ekspertë të fushës. Nga partia e Hristijan Mickoskit thonë se vlerësimin për efikasitetin e masave të reja që propozon pushteti duhet ta japin ekspertët por, sipas tyre, Komisioni për sëmundje ngjitëse që i propozon këto masa duhet të shkarkohet sepse punon me diktat politik.