Masa e propozuar nuk garanton ulje të pirjes së duhanit, por rrezikon tregun

Ekspertët rikujtojnë se projektligji tashmë parashikon masa të forta, përfshirë ndalimin e plotë të reklamimit dhe promovimit të produkteve të duhanit, si dhe ndalimin strikt të shitjes për të miturit. Në këtë kontekst, vendosja e ndalimit të ekspozimit të produkteve në vendin e shitjes konsiderohet si një masë që tejkalon atë që është e nevojshme për arritjen e objektivave të shëndetit publik

Shkup, 27 prill – Propozimi për ndalimin e shitjes me pakicë dhe ekspozimit të produkteve të duhanit, në formën e paraparë me Projektligjin për mbrojtjen nga duhani, pritet të sjellë pasoja të padëshiruara në kushtet aktuale të tregut. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, nuk priten as rezultate konkrete në uljen e përhapjes së duhanpirjes apo në mbrojtjen e të miturve përmes masës së njohur si “retail display ban” (RDB).

Analiza krahasuese e praktikave në Bashkimin Evropian tregon se shumica e vendeve anëtare nuk aplikojnë ndalim të tillë. Në mesin e tyre janë shtete si Austria, Bullgaria, Qipro, Çekia, Danimarka, Gjermania, Greqia, Italia, Luksemburgu, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, të cilat nuk parashohin kufizime për ekspozimin e produkteve të duhanit në shitjen me pakicë. Sipas ekspertëve të sektorit, zbatimi i një ndalimi të tillë është njëkohësisht kompleks dhe i kushtueshëm për tregtarët, sidomos për bizneset e vogla. Përveç kostove shtesë për përshtatjen e hapësirave dhe proceseve të punës, mungojnë dëshmi të qarta se kjo masë do të ndikojë drejtpërdrejt në kufizimin e qasjes së të rinjve ndaj produkteve të duhanit.

Në vend të kësaj, propozohet që të mundësohet një komunikim i hapur dhe transparent me konsumatorët për produktet, duke u dhënë atyre mundësinë për të marrë vendime të informuara. Një qasje e tillë, sipas tyre, nuk kufizon lirinë e zgjedhjes për konsumatorët e rritur, garanton qëndrueshmërinë e bizneseve të vogla, si kioskat, dhe nuk ndikon negativisht në të ardhurat publike apo në rritjen e tregtisë ilegale.

Ekspertët rikujtojnë se projektligji tashmë parashikon masa të forta, përfshirë ndalimin e plotë të reklamimit dhe promovimit të produkteve të duhanit, si dhe ndalimin strikt të shitjes për të miturit. Në këtë kontekst, vendosja e ndalimit të ekspozimit të produkteve në vendin e shitjes konsiderohet si një masë që tejkalon atë që është e nevojshme për arritjen e objektivave të shëndetit publik. Sipas tyre, çdo ndërhyrje e re në këtë sektor duhet të jetë e balancuar dhe e bazuar në analiza konkrete, në mënyrë që të shmangen efektet negative në ekonomi dhe të sigurohet një qasje efektive në mbrojtjen e shëndetit publik.

Njëkohësisht, ekspertët theksojnë se çdo ndërhyrje në këtë sektor duhet të jetë e mirëbalancuar dhe e bazuar në analiza të detajuara. Ata kërkojnë që përpara miratimit të ligjit të realizohet një vlerësim i plotë i ndikimit ekonomik, social dhe fiskal, si dhe të hartohet një strategji e qartë për luftën kundër tregut ilegal. Në të kundërtën, ekziston rreziku që masat e reja të jenë vetëm formalisht të rrepta, por në praktikë të dështojnë në arritjen e objektivave të shëndetit publik, duke nxitur njëkohësisht ekonominë gri dhe duke dëmtuar stabilitetin financiar të shtetit. Një zgjidhje e qëndrueshme, sipas ekspertëve, mund të arrihet vetëm përmes një qasjeje të balancuar, dialogut me palët e interesuara dhe politikave të bazuara në të dhëna reale.