Masa e përkohshme e Kushtetueses, e drejtë apo jo?

Të hënën e 9 marsit, Gjykata Kushtetuese nxori vendimin për caktimin e masës së përkohshme ndaj vendimit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Masa e përkohshme vlen nga data 9 e deri më 31 mars, që ia ndalon Kuvendit dhe Presidentes çdo veprim deri me këtë datë, transmeton Klankosova.tv.

Në emisionin “Ora Shtatë”, opinionistja Aida Dërguti, tha se masa e përkohshme është e drejtë.

“Meqë i janë drejtuar Gjykatës mendoj që masa e përkohshme është vendosur drejt, domethënë duke armotizuar që të dyja palët për një periudhë deri të shqyrtohet, edhe dekretin, por njëkohësisht edhe Kuvendin”, tha Dërguti në Klan Kosova.

Me Dërgutin u pajtua edhe juristja Doruntina Meha.

“Besoj që Gjykata i ka pezulluar të dyja, për shkak që ne do të shkojmë në zgjedhje padyshim, por do ta sqarojë procedurën se si do të shkojmë në zgjedhje”, u shpreh Meha.

Nga ana tjetër, gazetari Valon Rushiti pretendoi se presidentja Vjosa Osmani “u ngut kur u shpërndau Kuvendin e Kosovës”.