Marta Kos: Tronditëse deklarata e ministres serbe, nuk mund ta imagjinoj që të vazhdojë në detyrë

Komisionarja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka përsëritur dënimin e saj ndaj deklaratës së ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Kos u shpreh e habitur që Paunoviç vazhdon të mbajë postin e ministres dhe u bëri thirrje politikanëve të vendeve kandidate për në Bashkimin Evropian të jenë të vetëdijshëm për peshën që kanë deklaratat e tyre.

Duke folur në Komitetin e Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane të Parlamentit Evropian, Kos e cilësoi deklaratën e ministres serbe si të papranueshme.

“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi komisionarja.

Deklarata e Paunoviçit është dënuar edhe nga Mbretëria e Bashkuar, e cila e cilësoi gjuhën e përdorur si “të neveritshme” dhe theksoi se referencat për spastrim etnik nuk kanë vend në shoqërinë e sotme.

Përmes një deklarate, një zëdhënës i Zyrës për Punë të Jashtme britanike tha se, në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndërtojnë një të ardhme paqësore dhe shumetnike, deklarata të tilla vetëm sa rihapin plagët e së kaluarës dhe nxisin tensione.

“Udhëheqësit e përgjegjshëm politikë duhet të refuzojnë një gjuhë të tillë”, thuhet në reagimin britanik.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se fjalët e ministres nuk pasqyrojnë qëndrimin e tij dhe as të Qeverisë së Serbisë, duke theksuar se politika zyrtare e Beogradit është dialogu dhe jo spastrimi etnik.

Nga ana e saj, Paunoviç, e cila është edhe nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë, partisë së themeluar nga Sllobodan Millosheviçi, nuk i tërhoqi deklaratat, por pretendoi se ato ishin nxjerrë jashtë kontekstit. Ajo kërkoi falje presidentit Vuçiç dhe qeverisë për reagimet që shkaktuan komentet e saj.

Pas deklaratës, autoritetet e Kosovës e shpallën Paunoviçin person të padëshiruar, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin në territorin e Kosovës.

Reagimet kanë vijuar edhe nga analistë dhe vëzhgues në Kosovë dhe Serbi, të cilët e kanë cilësuar deklaratën si pjesë të një modeli të vazhdueshëm politik të Serbisë ndaj Kosovës, duke kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të mos mjaftohet vetëm me deklarata dënuese, por të ndërmarrë masa konkrete.

Edhe Qeveria në detyrë e Kosovës ka theksuar më herët se problemi nuk lidhet vetëm me deklaratën e një ministreje, por me faktin se Serbia nuk është distancuar asnjëherë nga politikat e regjimit të Millosheviçit.

“Është mirë që të gjithë, përveçse ta dënojnë këtë gjuhë, ta kenë parasysh edhe kur flasin me Serbinë për integrimin, reformat dhe fondet. Këto nuk janë thjesht deklarime, por aspirata nga të cilat shteti zyrtar i Serbisë nuk ka hequr dorë”, kanë deklaruar autoritetet kosovare.

Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998–1999, u vranë mbi 13 mijë civilë, ndërsa qindra mijëra shqiptarë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre. Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë ende të zhdukur. Për këto krime, drejtues të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë dhe forcave të saj të sigurisë u dënuan nga Tribunali i Hagës.

Në fjalën e saj para eurodeputetëve, Marta Kos foli edhe për rrugën evropiane të Serbisë, duke vlerësuar se mbështetja e ulët për integrimin në BE lidhet edhe me mesazhet që përcjellin politikanët dhe mënyrën se si raportojnë mediat në vend. Ajo theksoi se është e papranueshme që një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian të përdorë retorikë antievropiane, veçanërisht ndaj deputetëve të Parlamentit Evropian, gazetarëve dhe zërave kritikë.