Marrja e Grenlandës nga SHBA-ja: Danimarka dhe Grenlanda kërkojnë takim me Rubion

Danimarka dhe Grenlanda po kërkojnë një takim me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, pasi administrata Trump ka ripërsëritur qëndrimin e saj për synimin për të marrë nën kontroll ishullin strategjik të Arktikut, një territor danez.

Tensionet u përshkallëzuan pasi Shtëpia e Bardhë deklaroi të martën se “ushtria amerikane është gjithmonë një opsion”, edhe pse një sërë liderësh evropianë hodhën poshtë thirrjet e përsëritura të presidentit Donald Trump që SHBA-ja të marrë kontrollin e Grenlandës, duke përmendur arsye strategjike.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka paralajmëruar të martën se marrja nën kontroll nga SHBA-ja do të nënkuptonte fundin e aleancës ushtarake të NATO-s.

E udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar iu bashkuan asaj në një deklaratë të martën, duke riafirmuar se ishulli i pasur me minerale “i përket popullit të tij”.

Deklarata e tyre mbronte sovranitetin e Grenlandës, e cili është një territor vetëqeverisës i Danimarkës dhe, për rrjedhojë, pjesë e NATO-s.

Trumpi ka hedhur idenë e blerjes së Grenlandës që nga mandati i tij i parë, duke argumentuar se SHBA-ja duhet të kontrollojë ishullin më të madh në botë për të garantuar sigurinë e saj përballë kërcënimeve në rritje nga Kina dhe Rusia në Arktik.

Veprimi ushtarak i SHBA-së në Venezuelë këtë fundjavë ka shtuar frikën në të gjithë Evropën, teksa Trumpi, së bashku me këshilltarët e tij, ditët e fundit kanë përsëritur dëshirën e udhëheqësit amerikan për të marrë kontrollin e ishullit.

“Është jashtëzakonisht strategjik tani”, u ka thënë Trumpi gazetarëve të dielën.

Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen dhe homologja e tij nga Grenlanda, Vivian Motzfeldt, kanë kërkuar takimin me Rubion në të ardhmen e afërt, sipas një deklarate të publikuar të martën në faqen zyrtare të qeverisë së Grenlandës. Kërkesat e mëparshme për një takim nuk patën sukses, thuhet në deklaratë.