Marrin para edhe për banesë edhe për rrugë, Antikorrupsioni u tërheq vërejtjen deputetëve

Të zgjedhurit e popullit, nga viti 2015 deri në vitin 2019 kanë shpenzuar pothuajse 3 milion euro vetëm për harxhime rruge, shpenzime të cilat i ka paguar Kuvendi nga buxheti i shtetit. Kështu njoftoi sot Komisioni për parandalim të korrupsionit. Në vitin 2015 për harxhime rrugore të deputetëve janë shpenzuar diku më shumë se 770 mije euro ndërsa në vitin 2019 , 390 mijë euro. Sipas kësaj analize shpenzimet e deputetëve për vajtje-ardhje nga viti në vit kanë shënuar ulje.

– Për vitin 2015, është paguar vlerë prej 770.883 eurove

– Për vitin 2016, 698.797 euro

– Për vitin 2017, 512.000 euro

– Për vitin 2018, 522.930 euro

– Për vitin 2019, është paguar vlerë prej 390.993 eurove

Por nga ana tjetër janë rritur shpenzimet e deputetëve për banesa qëndrimi. Pagesa mujore që marrin deputetët për pagesa të qirasë së banesave është 400 euro. Përkundër kësaj 23 deputetë edhe pse shfrytëzojnë të drejtën për banesë marrin edhe të holla për rrugë. Këtë siç thonë nga Antikorrupsioni, e kanë arsyetuar me atë që banesa ose shtëpia e tyre nuk është më e madhe se 80 metra katrorë.

“23 deputetë kanë banesa të veta ose banesa në emër të ndonjë anëtari të familjes, që është me lokacion në Shkup, ndërsa edhe përskaj kësaj këto deputetë pranojnë para për shfrytëzim të automjeteve për vajtje dhe kthim nga puna, gjegjësisht për udhëtimin në Shkup dhe jashtë tij. Sasia e harxhimeve është 400 euro në muaj në vlerë bruto, ndërsa pagesa bëhet në bazë të kërkesës me shkrim e cila përmban nënshkrimin e tyre në noter se kërkuesi nuk ka në pronësi ose me qira banesë ose shtëpi me sipërfaqe së paku 80 metra katrorë në Shkup”, njoftuan nga Antokorrupsioni.

Antikorrupsioni apelon që shumica e re parlamentare të vendosë rend në shpenzimin e deputetëve duke kërkuar rregullim të kësaj problematike nëpërmjet rregullativave ligjore.